Follow us on:

Ukshini takon znj. Persida Allani, drejtore e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë

Tiranë, 24 maj 2018 - I Ngarkuari me Punë në Tiranë, Sylë Ukshini gjatë vizitës së tij në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë është takuar me drejtoren e këtij institucioni znj. Persida Asllani. Në këtë takim të dy bashkëbiseduesit ka folur kryesisht për librin, për mundësitë e bashkëpunimit midis Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe Ambasadës së Kosovës, për nevojën e qarkullimit më të madh të botimeve nga të dyja anët e kufirit si dhe për domosdoshmërinë e shkëmbimit të eksperiencave më të avancuara në këtë fushë.

Nga ana e saj, znj. Asllani e ka njohur shefin e Misionit të Kosoëvs, z. Ukshini me sfidat dhe prioritet e Bibliotekës Kombëtare, si një nga institucionet më me rëndësi për kulturën dhe shkencën shqiptare, duke nënvizuar se mbetet shumë e nevojshme që në këtë institucion të ketë më shumë investime si për hapësirat e lexuesit ashtu edhe për nevoja të modernizimit të infrastrukturës së saj dhe për fondet e librave të rinj që botohen brenda hapësirës shqiptare dhe në botë. Sipas znj. Asllani, BKSh numëron në fondet e veta rreth 1.217.774 materiale bibliotekare, libra, periodikë, harta, atlase, mikrofilma e materiale të tjera.

Fondi i arkivit të botimeve shqip, i antikuarit, i dorëshkrimeve, hartave, si dhe fondi i albano-ballkanologjisë përbëjnë pasuri me vlera të mëdha për thesarin e kulturës kombëtare shqiptare e, si të tilla, të kulturës evropiane.

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë (më tej BKSh), si institucion i parë shte­të­ror, publik e laik, mban për datë të themelimit të saj 10 korrikun 1920. Si bërthamë e saj shërbeu fondi i bibliotekës së “Komisisë Letrare Shqipe”, organizëm i përbashkët shqiptaro-austriak, krijuar në qytetin e Shkodrës në vitin 1917 në kontingjencat e njohura të Luf­tës së parë botërore. Më 1920 ky fond u vendos në Ministrinë e Arsimit, Tiranë.