Follow us on:

Ambasadori Ukelli priti në takim studentë dhe profesorë nga Landi Burgenland

Vjenë, 28 qershor 2019 - Rreth 35 studentë dhe profesorë nga shkolla e lartë profesionale të nivelit master të drejtimit “Information Medien Kommunikation” nga Landi Burgenland i Austrisë të udhëhequr nga Prof. Dr. Michael Roither, Zëvendës rektor për marrëdhënie ndërkombëtare, vizituan Ambasadën e Republikës së Kosovës në Vjenë.

Gjatë fjalës së tij Ambasadori Ukelli paraqiti zhvillimet kryesore në Republikën e Kosovës, si një nga shtetet e Evropës Juglindore me potencialin më të mirë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në rajon. Ambasadori Ukelli theksoi se përqindja e re e popullsisë së Kosovës, si dhe njohuritë e gjuhëve të huaja dhe të IT-së që rinia kosovare zotëron, paraqet një kapital të rëndësishëm të së ardhmes së Kosovës.

 

Ambasadori Ukelli foli edhe për sistemin arsimor në Kosovë, si një nga prioritetet e Republikës së Kosovës. Në këtë kuadër Ambasadori Ukelli foli për arritjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës me theks të veçantë në raportet e shkëlqyera bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Austrisë, çështje e cila zgjoi interesim tek studentët austriakë.

 

Gjatë këtij takimi u bashkëbisedua edhe për punën dhe funksionimin e misionit diplomatik të Republikës së Kosovës, si dhe për mënyrën e komunikimit diplomatik ndërmjet Ambasadës së Republikës së Kosovës me institucionet austriake dhe ndërkombëtare.