Follow us on:

Fuqizim i kohezionit diplomatik ndërmjet përfaqësive diplomatike të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në Austri

Në vazhdën e përforcimit të koordinimit dhe të bashkëpunimit ndërmjet përfaqësive diplomatike të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri z. Sami Ukelli organizoi një pritje në ambientin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në prag të fillimit të pushimeve verore.

Të ftuar ishin Ambasadori i Shqipërisë në Vjenë, z. Roland Bimo dhe Përfaqësuesi i Misionit të Përhershëm të Shqipërisë pranë OSBE-së, OKB-së dhe Organizatave të tjera Ndërkombëtare me seli në Vjenë, z. Igli Hasani, të shoqëruar edhe nga stafi diplomatik i tri misioneve diplomatike.


Gjatë fjalës përshëndetëse, Ambasadori Ukelli shprehu mirënjohje ndaj punës së përfaqësimit diplomatik të dy shteteve, si dhe për domosdoshmërinë e bashkëpunimit me qëllim të rritjes, thellimit dhe përforcimit të marrëdhënieve të gjithanshme, jo vetëm ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, por edhe me Republikën e Austrisë, me të cilën dy shtetet ndajnë raporte shkëlqyera në të gjitha fushat.


Ambasadori Ukelli tha se këto takime tashmë janë bërë tradicionale dhe sigurisht do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Takime të tilla zhvillohen me qëllim të përforcimit të bashkëpunimit ndërmjet përfaqësive diplomatike të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë dhe janë në funksion të fuqizimit të kohezionit të politikës së jashtme dhe të vlerave evropiane që përfaqësojnë shtetet tona, tha mes tjerash Ambasadori Ukelli.