Follow us on:

Ambasadori Kiçmari ka mbajtur ligjëratë në kryeqytetin Kanberra të Australisë

Kanberra, 30 qershor 2016 – Ambasadori i Republikës së Kosovës në Australi Sabri Kiçmari, ka mbajtur një ligjëratë mbi historinë, gjeografinë dhe kulturën shqiptare në Universitetin e Moshës së Tretë në Kanberra të Australisë.

Ambasadori Kiçmari ka folur për prejardhjen ilire të shqiptarëve, për luftërat heroike për mbijetesën e shqiptarëve në rajonin e Evropës Juglindore, për shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe për shpalljen e pavarësisë Shqipërisë. Ai ka folur edhe për shtrirjen gjeografike të shqiptarëve në vendet e ndryshme të rajonit të Evropës Juglindore, për harmoninë tradicionale ndër fetare ndër shqiptarë, për letërsinë bashkëkohore të shqiptarëve dhe për kulturën kombëtare.

Të pranishmit kanë bërë pyetje në lidhje me vendin në historinë kombëtare të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe Nënë Terezës, për arsyet e ndarjes së Kosovës nga Shqipëria në vitet 1912-1913, për raportet politike, ekonomike dhe kulturore në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, përdorimin e monedhës EURO si monedhë zyrtare në Kosovë etj.

Ambasadori Kiçmari i ka ftuar të pranishmit të vizitojnë Kosovën dhe Shqipërinë, të njohin historinë e njërit nga popujt më të vjetër të Evropës, të shijojnë natyrën e shkëlqyeshme, ushqimet e shijshme dhe dashamirësinë e shqiptarëve.