Follow us on:

Ambasadori Kiçmari merr pjesë manifestimin e Shoqatës Katolike Shqiptare në Mellborune me rastin e shenjtërimit të Nënës Terezë

Melbourne, 3 shtator 2016 – Ambasadori i Republikës së Kosovës, Sabri Kiçmari, ka marrë pjesë në meshën dhe më pas manifestimin publik me rastin e shenjtërimit të Nënës Terezë. Meshën e ka udhëhequr prifti shqiptar nga Shkodra Elia Matia. Ai ka predikuar për jetën dhe veprën humane të Nënë Terezës. Pas meshës është mbajtur një manifestim publik në Melbourne, në të cilin kanë marrë pjesë rreth 200 vetë.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, ambasadori Kiçmari ka thënë se Nënë Tereza me shërbimet e saj ndaj të sëmurëve, të varfërve dhe të vobektëve ka lanë një gjurmë në historinë botërore. ‘’Sa herë flitet për humanizmin në nivel ndërkombëtar, sa herë që të flitet për shërbimin ndaj tjetrit në nevojë, për jetën në shërbim të të sëmurëve, të varfërve dhe të vobektëve Gonxhe Bojaxhiu zë vend në radhën e parë të atyre që kanë bërë vepra të jashtëzakonshme në shekullin e 20-të’’ ka thënë ambasadori Kiçmari.

Duke qenë shqiptare, me prindër nga Mirdita dhe Dukagjini, ajo u bë misionare e së mirës, humanizmit dhe shërbesës për tjetrin në nevojë. Në qoftë se Çmimi  Nobel për Paqe, që ju akordua Nënë Terezës në vitin 1979 flet për njohjen e punës së saj në rrafshin shoqëror ndërkombëtar, shpallja e shenjtë nga Papa Francesku, i jep asaj titullin më të lartë që mund ta fitojë një njeri në rrafshin religjioz. Shenjtërimi i saj ka rëndësi për faktin se ajo e fiton këtë titull të lartë njohjeje e nderimi për punën e saj humanitare për njerëzit në nevojë pavarësisht përkatësisë së tyre religjioze, tha ambasadori i Kosovës Sabri Kiçmari”