Follow us on:

Ambasadori Kiçmari merr pjesë manifestimin e Shoqatës Katolike Shqiptare në Adeleide me rastin e shenjtërimit të Nënës Terezë

Adeleide, 4 shtator 2016 – Ambasadori i Republikës së Kosovës, Sabri Kiçmari ka marrë pjesë në meshën dhe në manifestimin publik në Adeleide me rastin e shenjtërimit të Nënës Terezë.

Mesha është udhëhequr nga prifti shqiptar nga Shkodra Elia Matia. Në meshë kanë marrë pjesë rreth 400 vetë, në mesin e të cilëve edhe Guvernatori i Australisë së Jugut Hieu Van Le, Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Australisë së Jugut Philip Wilson. 

Prifti Matia ka predikuar për jetën dhe veprën humane të Nënës Terezë. Ai ka thënë se vepra e Nënë Terezës nuk është një punë e thjeshtë sociale, por një thirrje me natyrë të thellë humane dhe religjioze. Në predikimin e tij Ipeshkvi Philip Wilson ka thënë se Nënë Tereza përfaqëson veprën humane në mbështetje të tjetrit. ‘’Ajo ishte një besimtare e mirë, një njeri i mirë, me virtyte humane, duke ju shërbyer më të varfërve ndër të varfërit”, tha Ipeshkvi Philip Wilson.

Ndërsa në fjalën e tij ambasadori Kiçmari ndër të tjera ka thënë: ‘’Sot janë krenarë të gjithë shqiptarët e besimit katolik, mysliman dhe besimit ortodoks. Sot janë krenar të gjithë shqiptarët, sepse një grua shqiptare, e dalë nga gjiri i popullit shqiptar, me njërin prind nga Shqipëria (nga Mirdita) dhe tjetrin nga Kosova (Dukagjini), e lindur në Shkup në vitin 1910, në kryeqytetin e atëhershëm të Vilajetit të Kosovës, shpallet e shenjtë nga Papa Françesku dhe fiton titullin më të lartë kishtar. Gjithashtu ambasadori Kiçmari tha se e  falënderojmë Papa Françeskun për këtë nderim që i bënë bijës sonë Gonxhe Bojaxhiut, për këtë mirënjohje që i akordon gruas humane të të gjithë botës – Nënës Terezë.

Gonxhe Bojaxhiu, një vajzë e re 18 vjeçare, u nis drejt Irlandës në shërbim të besimit të saj dhe mirësisë. Vetëm dy muaj më vonë ajo u vendos në Indi, në Kalkutë. Më 10 shtator 1946 ndodh diçka e jashtëzakonshme në botën e saj ndijore. Ky moment do të ndikonte, që ajo të kërkonte, pas 17 viteve shërbimi në kishë, të lirohej për t’u vënë në shërbim të të sëmurave dhe të varfërve. E krijon bashkësinë “Misionaret e dashurisë ndaj tjetrit.” Ajo kujdesej për njerëzit në shtratin e vdekjes, jetimët, të pastrehët dhe të sëmurët. Për punën e saj u nderua me Medaljen e Lirisë nga Presidenti i SHBA Rolad Regan dhe me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979.

Ajo që e bënë më madhështore Nënë Terezën është sjellja e çiltër e saj me njeriun - pavarësisht rangut, me sëmundjen - pavarësisht shkallës, dhe me besimin – pavarësisht bindjeve fetare. Ajo ka pasur edhe momente meditimi tepër njerëzor. Dhe, ky meditim ia shton madhështinë asaj, një njeriu që ka parë mjerimin në lagjet e varfëra të Kalkutës. Dhe fakti se Papa Xhon Pali e shpalli atë të lumnueme dhe Papa Françesku do ta shpallë Nënë Terezën të shenjtë, dëshmon për fuqinë humane të veprës së saj.

Në qoftë se Çmimi Nobel për Paqe, që ju akordua Nënë Terezës në vitin 1979, flet për njohjen e punës së saj në rrafshin shoqëror ndërkombëtar, shpallja e shenjtë nga Papa Francesku i jep asaj titullin më të lartë që mund ta fitojë një njeri në rrafshin religjioz. Shenjtërimi i saj ka sidomos rëndësi për faktin se ajo e fiton këtë titull të lartë njohjeje e nderimi për punën e saj humanitare për njerëzit në nevojë pavarësisht përkatësisë së tyre religjioze dhe kombëtare.