Follow us on:

Ambasadori Kiçmari takoi kryeministrin në detyrë dhe ministrin e Jashtëm të Vanuatus

Port Vila, 09 gusht 2017 - Ambasadori i Republikës së Kosovës, Sabri Kiçmari, në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Vanuatu, ka takuar kryeministrin në detyrë, Joe Natuman, ministrin e Jashtëm, Bruno Leingkone Tau, ministrin e Arsimit, Jean Pierre Nirua, ministrin e Rinisë dhe Sportit,. Seoule Simon dhe dekanen e Korit Diplomatik në Vanuatu, Gergina Reoberts, Komisionere e Lartë e Zelandës së Re në Port Vila.

Kryeministri në detyrë, Joe Natuman e ka njoftuar ambasadorin Kiçmari për zhvillimet e përgjithshme politike dhe shoqërore në Vanuatu, për përpjekjet për tejkalimin e vështirësive pas stuhisë së vitit 2015, e cila ka shkaktuar dëme të mëdha njerëzore dhe materiale. Ai ka rikonfirmuar qëndrimin mbështetës të Republikës së Vanuatus për Kosovën, gjë që paraqet një vazhdim konsekuent të politikës së jashtme të Vanuatus në mbështetje të popujve që luftojnë për liri dhe pavarësi.


Ambasadori Kiçmari e ka falënderuar kryeministrin në detyrë, Joe Natuman për rolin e tij të jashtëzakonshëm, përkundër lobimit të fortë, në njohjen e Republikës së Kosovës, në kohën kur ai ishte ministër i jashtëm, dhe lidhjen e marrëdhënieve diplomatike në mes të dy vendeve duke premtuar se do të angazhohet që marrëdhëniet në mes të dy vendeve të thellohen edhe më tutje në fusha të interesit të ndërsjellë.


Ministri i Jashtëm i Vanuatus, Bruno Leingkone Tau e ka informuar ambasadorin Kiçmari në lidhje me statusin e Republikës së Vanuatus në marrëdhëniet ndërkombëtare, raportet me vendet fqinje, Australinë dhe Zelandën e Re. Ai ka rikonfirmuar qëndrimin mbështetë për integrimin e Republikës së Kosovës në strukturat dhe organizatat ndërkombëtare.

 

Ambasadori Kiçmari e ka falënderuar Ministrin e Jashtëm për mbështetjen e Qeverisë së Vanuatus me rastin e votimit për pranimin e Kosovës në UNESCO dhe për një linjë standarde mbështetjeje të gjithanshme për Kosovën, përkundër distancës së madhe gjeografike. Ministri dhe ambasadori Kiçmari kanë identifikuar si fusha të bashkëpunimit në mes të dy vendeve mbështetjen e njëri-tjetrit në strukturat ndërkombëtare, shqyrtimi i mundësive të bashkëpunimit në fushën e arsimit, tregtisë, turizmit dhe sportit. Ministri i Jashtëm Bruno Leingkone Tau ka mirëpritur ftesën e ambasadorit Kiçmari për të vizituar Kosovën.

 


Në takimet me ministrin e Arsimit dhe atë të Rinisë dhe Sporteve është biseduar për mundësitë e shkëmbimeve në mes të dy vendeve në këto fusha.
Takimi i kortezisë me Dekanen e Korit Diplomatik ka pasur për natyrë shkëmbimin e përvojave dhe veprimtarinë e Korit Diplomatik në Port Vila si dhe bashkëpunimin e misioneve diplomatike me MPJ të Vanuatus.