Follow us on:

Vizitë zyrtare e Ambasadorit Kiqmari në shtetin australian të Queenslandit

Brisbane, 18 qershor 2014 – Ambasadori i Republikës së Kosovës Dr. Sabri Kiqmari ka zhvilluar një vizitë zyrtare dyditore në shtetin Australian të Queensland-it. Gjatë vizitës Ambasadori Kiqmari ka takuar autoritetet e larta shtetërore të Queenslandit, si Guvernatorin në emërim z. Paul de Jersey, Ministren Deb Frenklington, Zëvendëskryetarin e Asamblesë Parlamentare z. Mark Robinson, Këshilltaren e Asamblesë së Qytetit Brisbane Angela Owen Taylor, drejtorin e Departamentit për Resurse Natyrore dhe Miniera z. Brad John, pastaj përfaqësues të institucioneve shkencore si Presidentin e Këshillit Australian për Politikë Ndërkombëtare Geoffrey Ewing dhe Presidenten e Këshillit Australian të Evropës z. Elfi Massey-Vallazza, si dhe udhëheqësit e Universitetit të Queensland-it Prof. Monique Skidmore dhe Universitetit Grifith Prof. Sarah Todd.

Në takim me z. Paul de Jersey, Kryetar i Gjykatës Supreme, i cili është emëruar si Guvernator i Landit të Queenslandit dhe do të marrë detyrën muajin e ardhshëm, është biseduar për marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin në mes të Republikës së Kosovës dhe shtetit Australian të Queenslandit në fusha me interes të ndërsjellë. Z. de Jersey ka konfirmuar mbështetjen e tij për Republikën e Kosovës dhe rrugën e saj drejt integrimit dhe prosperitetit.

Përfaqësuesja e Qeverisë së Queenslandit z. Frenklington e ka informuar ambasadorin Kiqmari në lidhje me katër shtyllat e ekonomisë së shtetit të Queenslandit: bujqësinë, industrinë e minierave, turizmin dhe ndërtimtarinë duke shprehur gatishmërinë e Qeverisë së shtetit të Queenslandit për bashkëpunim me Republikën e Kosovës në fushën e industrisë së minierave dhe bujqësi. Ambasadori Kiqmari ka mirëpritur dhe falënderuar gatishmërinë për bashkëpunim në këto fusha që janë të një rëndësie të veçantë edhe për Republikën e Kosovës.

Përfaqësuesja e qytetit të Brisbanit z. Owen Taylor ka mirëpritur propozimin e Ambasadorit Kiqmari për lidhjen e bashkëpunimit me një nga komunat e Republikës së Kosovës, kurse përfaqësuesit e Universitetit të Queenslandit kanë treguar gatishmëri për të mbështetur idenë për fillimin e bashkëpunimit me Universitetin e Prishtinës.

Në një drekë pune të shtruar për nder të Ambasadorit Kiqmari dhe zonjës Kiqmari nga Presidentja e Këshillit Australian të Evropës, në të cilën kanë marrë pjesë përfaqësues nga shoqata të ndryshme dhe ekspertë, Ambasadori Kiqmari ka folur për rrugën e Kosovës  drejt integrimit në Bashkimin Evropian, kurse të martën në mbrëmje ka mbajtur edhe një ligjëratë në Institutin Australian për Politikë Ndërkombëtare, në të cilën ka përshkruar rrugën e shtetkrijimit dhe shtetndërtimit të Republikës së Kosovës.

Ambasadori Kiqmari, gjatë vizitës së tij zyrtare në Brisbane, ka zhvilluar edhe një takim me përfaqësuesit e shoqatave shqiptare të organizuara në shtetin e Queensland-it.