Follow us on:

Ambasadori Kiqmari mbajti ligjëratë në Institutin Australian për Politikë Ndërkombëtare

Brisbane, 17 qershor 2014 - Ambasadori i Republikës së Kosovës Dr. Sabri Kiqmari ka mbajtur një ligjëratë në Institutin Australian për Politikë Ndërkombëtare në qytetin Brisbane, në të cilën ka përshkruar rrugën e shtetkrijimit dhe shtetndërtimit të Republikës së Kosovës.

Ambasadori Kiqmari ka deklaruar se pavarësia e Republikës së Kosovës ka ardhur si rezultat i përpjekjeve të qytetarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi dhe mbështetjes diplomatike të miqve të Kosovës në të drejtën e qytetarëve të Kosovës për të jetuar të lirë dhe të pavarur.

Ai ka thënë se pavarësinë e Republikës së Kosovës duhet parë si pjesë të një procesi të lindjes së shteteve të reja në Evropë pas dezintegrimit të ish-Bashkimit Sovjetik dhe ish-RSFJ. Duke mbrojtur tezën se “lëvizjet për pavarësi në Estoni, Lituani, Letoni, Slloveni dhe Kroaci kanë qenë lëvizje për liri dhe se aspiratat e tyre për integrim në familjen e popujve të lirë të Bashkimit Evropian ishin rrjedhim logjik i këtij orientimi”, Ambasadori Kiqmari ka konstatuar se “ saktësisht e njëjta gjë vlen edhe për Republikën e Kosovës.”

Ambasadori Kiqmari ka vënë në pah rëndësinë që ka pasur opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare për legalitetin dhe legjitimitetin ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës duke deklaruar se procesi i anëtarësimit të Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare është proces i pashmangshëm.

Gjatë ligjëratës, Ambasadori Kiqmari i ka adresuar një falënderim publik Qeverisë së Australisë për mbështetjen që i ka dhënë Republikës së Kosovës duke e njohur atë vetëm dy ditë pas shpalljes së pavarësisë, për pranimin e një numri të madh refugjatësh gjatë luftës në Kosovë si dhe për mundësitë që ka krijuar shteti australian për integrimin e qytetarëve tanë në Australi.

Në fund, Ambasadori Kiqmari ka përshkruar edhe hapat e parë të krijimit të institucioneve të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës, përvojën e tij në hapjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Austri dhe ka numëruar prioritetet e veprimit profesional të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Australi për thellimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve.

Të pranishmit kanë shtruar një numër pyetjesh që kishin të bënin me zhvillimet gjatë luftës në Kosovë, procesin e rindërtimit të vendit pas luftës, raportet me vendet fqinje, qëndrimin e Republikës së Kosovës ndaj zhvillimeve në Ukrainë, etj.