Follow us on:

Vizitë dyditore e Ambasadorit Kiqmari në shtetin australian të New South Wales

Sidnej, 16 shtator 2014 – Ambasadori i Republikës së Kosovës Dr. Sabri Kiqmari është duke zhvilluar një vizitë zyrtare dyditore në shtetin australian të New South Wales-it.

Në ditën e parë të vizitës së tij, Ambasadori Kiqmari ka takuar Ministrin e Resurseve Natyrore z. Kevin Humphries, Drejtorin Ekzekutiv të agjencionit shtetëror Multikultural NSW z. Hakan Harman, Drejtorin e ABC z. Mick Millett si dhe ka vizituar ambientet e Operës në Sidnej (Opera House), e cila shquhet për arkitekturën e saj moderne dhe unikate.

Ambasadori Kiqmari e ka njoftuar Ministrin e Resurseve Natyrore z. Kevin Humphries në lidhje me procesin e pavarësimit të Republikës së Kosovës, procesin e njohjes së Republikës së Kosovës dhe rrugën e Kosovës drejt integrimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian.

Ambasadori Kiqmari dhe Ministri Humphries janë dakorduar për shqyrtimin e mundësive të bashkëpunimit në fushën e resurseve natyrore, duke pasur parasysh se Australia ka një nivel të lartë ekspertize në këtë fushë, e cila do të mund të ishte me shumë interes për Republikën e Kosovës.

Në takim me Drejtorin Ekzekutiv të agjensionit shtetëror Multikulura NSW z. Hakan Harman është biseduar mbi shkallën e lartë të kulturës së bashkëjetesës dhe integrimit të të huajve në shtetin australian të New South Wales-it.

Ambasadori Kiqmari ka shprehur falënderimin e tij për hapësirat integruese të krijuara për qytetarët e Republikës së Kosovës në NSW.