Follow us on:

Në ditën e dytë të vizitës në Sidnej, Ambasadori Kiqmari takoi Guvernatoren Bashir

Sidnej, 17 shtator 2014 – Në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në shtetin australian New South Wales, Ambasadori i Republikës së Kosovës Dr. Sabri Kiqmari është pritur në rezidencën shtetërore nga Guvernatorja e NSW, z. Marie Bashir, pastaj ka zhvilluar takime të veçanta me Kryetarin e Gjykatës Supreme z. Tom Bathhurst, Zëvendësshefen e Opozitës z. Linda Burney, Kryetaren e Grupit të Miqësisë me BE në Këshillin Legjislativ z. Jennifer Gardiner, Zëvendësrektoren e Universitetit të Sydneyt z. Sandra Meiras dhe drejtuesen e Dhomës së Tregtisë dhe Investimeve në NSW, z. Clare Sykes.

Ambasadori Kiqmari e ka njoftuar Guvernatoren e shtetit të NSW, z. Marie Bashir në lidhje me zhvillimet politike në Kosovë, procesin e njohjes së Republikës së Kosovës dhe rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE. Ambasadori Kiqmari ka shprehur falënderimin për mbështetjen humanitare që shteti i NSW i ka dhënë Kosovës gjatë luftës si dhe për mundësitë e krijuara për integrimin e qytetarëve të Kosovës në jetën shoqërore në Australi.

Guvernatorja Bashir ka deklaruar se i ka bashkëndjerë vuajtjet e popullit të Kosovës dhe ju gëzohet zhvillimeve paqësore atje pas pavarësisë. Ajo ka konfirmuar edhe më tutje mbështetjen për Kosovën dhe popullin e saj duke mirëpritur ftesën e Ambasadorit Kiqmari për të vizituar Kosovën.

Në takim me Kryetarin e Gjykatës Supreme z. Tom Bathurst i është kushtuar një vëmendje e veçantë sistemit ndërkombëtar të drejtësisë dhe opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare për legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës. Z. Bathurst ka shprehur gatishmërinë e tij për të vazhduar bashkëpunimin me institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës në fushën e drejtësisë.

Me kryetaren e Grupit të Miqësisë me BE në Këshillin Legjislativ z. Jennifer Gardiner është biseduar në lidhje me rrugën e Republikës së Kosovës drejt integrimit në BE dhe zhvillimeve brenda BE, procesit të zgjerimit dhe raporteve të BE me Australinë, përderisa Zëvendësshefja e Opozitës Laburiste Linda Burney e ka njoftuar Ambasadorin Kiqmari në lidhje me punën e opozitës në të dy dhomat e Parlamentit të NSW, duke deklaruar se është deputetja e parë me prejardhje aborigjine e zgjedhur në Parlamentin e NSW-së.

Takimi me Zëvendësrektoren e Universitetit të Sidnejit ka pasur në fokus mundësitë e bashkëpunimit me institucionet e arsimit të lartë të Kosovës, kurse takimi me drejtuesen e Dhomës së Tregtisë dhe Investimeve në NSW z. Clare Sykes i është kushtuar mundësive të bashkëpunimit në mes të dy vendeve në fushën e resurseve natyrore.

Gjatë vizitës së tij në Sidnej, Ambasadori Kiqmari ka përcjell edhe një seancë të Parlamentit të NSW, kurse në mbrëmjen e së martës ka zhvilluar edhe një takim me një grup përfaqësuesish të bashkatdhetarëve tanë në Sidnej.