Follow us on:

Çiklistët kosovar në Rallin Bruksel-Prishtinë

Bruksel, 23 Maj 2014 - Sot në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel, Ambasadorja znj. Mimoza Ahmetaj priti ekipin e Rallit Çiklist Bruksel – Prizren – Prishtinë, në përbërje : Blerim Peja, Gjemi Kelmendi, Abaz Zeka, Fatmir Emini, Fadil Dautaj, Ibrahim Shabi dhe Milaim Blaka.

Ekipi çiklist, niset të Shtunën 24 Maj 2014 nga Brukseli, me një ndalim simbolik para Parlamentit Evropian, Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bruksel dhe selisë së NATO-s dhe do të ketë itinerarin Belgjikë – Luksemburg – Gjermani – Austri – Itali – Shqipëri – Kosovë.
Z.Blerim Peja dhe z. Milaim Blaka (organizator i këtij Ralli), informuan Ambasadoren, znj. Mimoza Ahmetaj dhe Konsullin, se qëllimi parësor i këtij rrugëtimi është sensibilizimi i opinionit ndërkombëtar për të drejtën e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës dhe liberalizimin e vizave.

Distanca Belgjikë – Kosovë do të mbulohet me etapa dhe se llogaritet që të arrijnë në Prizren, më 10 Qershor në shenjë në 15-vjetorit të hyrjes së NATO-s në Prizren dhe Lidhjes së Prizrenit. Më datë 11 Qershor planifikohet vizita në Prekaz dhe etapa e fundit Prishtina, më 12 Qershor – ditën e Hyrjes së trupave tê NATO-s në Prishtinë.

Marshuta e udhëtimit dhe ekipi është i mbështetur nga Kryeministri i Republikës së Kosovës z.Hashim Thaçi.

Ambasadorja, znj Mimoza Ahmetaj, falënderoi ekipin për vizitën në Ambasadë dhe i përgëzoi për këtë nismë, e cila duket e thjeshtë, por në sens është një akt civilizues që ka rëndësi për t’i treguar botës se edhe shtetasit e Kosovës kanë të drejtë në lëvizjen e lirë. “Kosova nuk është pjese e shteteve qe lirisht lëvizin ne zonën Schengen ne BE por kjo nuk do te na dekurajoj qe edhe me tutje te punojmë ne përmbushjen e kritereve dhe dëshmisë para BE se edhe ne meritojmë t’i gëzojmë te drejtat sikurse te gjithë popujt e lire te Evropës, te lëvizim lirshëm dhe pa pengesa”, shtoi ajo.

Ambasadorja Ahmetaj i siguroi pjesëmarrësit me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bruksel.