Follow us on:

Republika e Kosovës do të jetë pjesëmarrëse në Edicionin e 10-të të Festivalit “Balkan Trafik”

Për të 10-tin vit rradhazi organizohet në Teatrin BOZAR në Bruksel festivali Balkan Trafik. Nën realizimin e “1001 Valises”, Balkan Trafik nga data 14-17 Prill 2016 sjell larmishëm aspekte të kulturës ballkanike të përcjella përmes muzikës, letërsisë, kinematografisë e arteve pamore.

Për të 10-tin vit rradhazi organizohet në Teatrin BOZAR në Bruksel festivali Balkan Trafik.

 

Nën realizimin e “1001 Valises”, Balkan Trafik nga data 14-17 Prill 2016 sjell larmishëm aspekte të kulturës ballkanike të përcjella përmes muzikës,letërsisë, kinematografisë e arteve pamore.


Në këtë edicion, nën mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ambasadës së Kosovës në Bruksel, Kosova paraqitet me Dren Abazi dhe Zig Zag Orchestra, si dhe me performancën live të pregatitjes së Nuses tradicionale,realizuar nga znj. Aziza Sefiragic.


 

Balkan Trafik sjell po ashtu projeksionin e filmit të metrazhit të shkurtër të nominuar për çmimin Oscar “SHOK” si dhe filmin “BABAI”, fitues i çmimit“Cineuropa” ndarë në edicionin e 15-të të Festivalit të filmit në Bruksel“Cinema Mediterranéen”.


 

Në ceremoninë solemne të hapjes, që tradicionalisht mbahet në sheshin kryesor të Brukselit, Grand Place, përveç znj. Kristalina Georgieva, Komisionere Evropiane për Buxhet dhe Burime Njerëzore, festivalin do ta përshëndesin dhe përfaqësues të Misioneve të vendeve të Ballkanit në Bruksel.

 

Në emër të Republikës së Kosovës, një fjalë rasti do të mbahet nga Ambasadorja znj. Mimoza Ahmetaj.

 

Përveç mbështetjes institucionale të autoriteteve vendore, Komisionit Evropian dhe Qeverive të vendeve të rajonit të Ballkanit. festivali ka dhe mbështetje mediatike dhe logjistike nga organizma dhe partnerë të tjerë jo-qeveritarë.

Në këtë edicion jubilar, partner mediatik nga Kosova është KOHAVISION, ndërkohë që Shoqata e Studentëve Shqiptarë “VLERA”, përveç mbështetjes logjistike festivalit, do të kujdeset për stendën me materiale promovuese të Kosovës.

 

Ky festival do të begatohet po ashtu nga prezenca e Shoqatës Kulturore “VATRA” të cilët do të sjellin për gjatë katër ditëve të festivalit perla të folklorit shqiptar.

 

Aspekte të kulturës shqiptare do të vijnë zëshëm nga përfaqësuesit e Shqipërisë në këtë festival: Vikena Kamenica dhe “Keli Band”, grupi popullor “Ali Pasha”, “Fabula dhe Legjnda” të sjella nga aktorja Anila Dervishi etj.

 

Detaje rreth programit dhe biletave mund të sigurohen në faqen zyrtare të Festivalit Balkan Trafik: http://www.balkantrafik.com/2016-program/