Follow us on:

Kosova u përfaqësua dinjitetshëm në Festivalin Balkan Trafik 2016

Bruksel 17 prill 2016 – Nën mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës dhe Ambasadës së Kosovës në Bruksel, Republika e Kosovës është përfaqësuar si asnjëherë më parë me katër pika të zhanreve të ndryshme në edicionin e 10-të të Festivalit Balkan Trafik, i cili është një ko-produksion i Teatrit BOZAR me “1001 Valises”.
Në festivalin i cili për katër ditë me radhë shpalosi vlera të kulturës ballkanike përmes muzikës, folklorit, kinematografisë e arteve pamore, ritmi i muzikës së Zig Zag Orchestrës dhe Dren Abazit, mblodhi për tre koncerte rradhazi adhurues nga të gjitha vendet pjesëmarrëse e më gjerë. Ndërkohë që vlera të trashëgimisë kulturore dhe ajo e artit pamor erdhën përmes asaj që është cilësuar si pika më e veçantë e Balkan Trafik,  performanca e drejtpërdrejt e përgatitjes së nuses tradicionale gorane të Kosovës, realizuar nga Aziza Sefiragic.

 

Kinematografia e Kosovës në këtë edicion është përfaqësuar përmes filmit të metrazhit të shkurtër “SHOK”. Rëndësinë e shfaqjes së këtij filmi e përcolli përmes një video-mesazhi edhe raportuesja për Kosovë në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek. Në këtë festival është shfaqur edhe filmi “BABAI”. Regjisori i këtij filmi Visar Morina ishte pjesëmarrës i festival. 


Dita e fundit e Festivalit Balkan Trafik u shënua në sheshin Grand Place të Brukselit ku u shpalosën perla nga folklori shqiptar, bullgar, turk etj. Në këtë ngjarje të pranishmit i përshëndetën ambasadorja e Kosovës, Mimoza Ahmetaj, ambasadorja e Shqipërisë, Suela Janina dhe komisionerja për Buxhet dhe Burime Njërëzore Kristalina Georgieva.

 

Fesitivali është organizuar nën mbështetjen e autoriteteve vendore belge, Komisionit Evropian, Ministrive të Kulturës së vendeve pjesëmarrëse dhe shumë partnerëve të tjerë.