Follow us on:

Ambasadorja Ahmetaj morri pjesë në takimin përgatitor të Komitetit Parlamentar të Procesit të Stabilizim Asociimit në Parlamentin Evropian në Strasburg

Strasburg, 11 maj 2016 – Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Bruksel Mimoza Ahmetaj, ka marrë pjesë në takimin përgatitor të Komitetit Parlamentar të Procesit të Stabilizim Asociimit të formuar nga Kuvendi i Kosovës dhe Parlamenti Evropian që do të mbahet më 16 dhe 17 maj në Kuvendin e Kosovës.

Pjesëmarrës në takim ishin eurodeputetët e delegacionit për BeH dhe Kosovë, kryetari, Tonino Picula (SD), Ulrike Lunacek, Dubravka Suica (EPP), Julie Ward (SD), si dhe përfaqësues nga Komisioni Evropian dhe të tjerë. Hapjen e takimit e bëri kryetari i delegacionit Tonino Picula duke prezantuar pjesën procedurale të takimit të Këshillit dhe njoftoi të pranishmit se Kuvendi i Kosovës dhe Parlamenti Evropian tani kanë caktuar udhëheqësit e KPSA-së si dhe anëtarët. Në fjalimin e saj, ambasadorja Ahmetaj theksoi se “tetë vite pas pavarësisë së Kosovës, dy procese të rëndësishme kanë kurorëzuar të ardhmen tonë drejt integrimit në BE dhe ato janë nënshkrimi i MSA dhe rekomandimi pozitiv nga Komisioni Evropian për heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës”. Më tej ambasadorja ka shtuar se “anëtarësimi në UEFA, ku shpresojmë se së shpejti do të përcillet me anëtarësimin në FIFA, dhe fitimi i medaljeve në Kampionatin Evropian të Xhudos, nominimi i filmit “Shok” për OSCAR, janë vetëm disa suksese që ka shënuar Kosova”. Ambasadorja ka folur për prioritetet e Qeverisë, programet reformuese në ekonomi, drejtësi dhe administratë publike. Eurodeputetja Lunacek u interesua të dijë më shumë lidhur me përgatitjen e Qeverisë për menaxhimin e pritjeve të qytetarëve lidhur me datën e hyrjes në fuqi të Rregullores së Schengenit dhe lidhur me programet qeveritare për komunikim me publikun për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.  Me këtë rast, ambasadorja Ahmetaj njoftoi për kampanjat e vazhdueshme informuese të udhëhequra nga institucionet e Kosovës për informim të opinionit publik për fazën në të cilën jemi si dhe cilat janë përgjegjësitë dhe obligimet që dalin nga liberalizimi i vizave. Ambasadorja po ashtu theksoi se “Kosova pas hyrjes në fuqi të MSA dhe liberalizimit të vizave planifikon të aplikoj për statusin kandidat deri në fund të këtij mandati të institucioneve të BE-së”.

Këtu mund të klikoni për fjalimin e plotë të Ambasadores Ahmetaj.