Follow us on:

U mbajt takimi i parë i Këshillit të Stabilizim Asocimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian

Bruksel, 25 nëntor 2016 - Sot u mbajt takimi i parë historik i Këshillit të Stabilizim Asocimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Takimi u kryesua nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini dhe kryeministri Mustafa. Pjesë e delegacionit të Kosovës ishin ministrat Enver Hoxhaj, Abdullah Hoti, Skender Hyseni, Hykmete Bajrami dhe zëvendësministrja Anila Statovci.

Gjatë takimit janë trajtuar çështjet që lidhen me implementimin e deritashëm të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit si dhe për proceset dhe zhvillimet tjera të rëndësishme në Kosovë dhe në raport me integrimet evropiane.

Kryeministri Mustafa foli edhe për rëndësinë e MSA-së, duke shprehur përkushtimin e Kosovës për implementimin edhe ndërmarrjen e reformave si dhe për intensifikimin e dialogut politik dhe bashkëpunimit me BE-në.

“Kosova nuk ka kërkuar dhe nuk kërkon rrugë të shkurtër drejt BE-së por kërkon mundësinë e barabartë si të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, për të realizuar vizionin për një të ardhme në Bashkimin Evropian\", tha kryeministri Mustafa, duke theksuar edhe rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.