Follow us on:

Ambasadori Nikaj dha intervistë për FEDRA rreth mundësive të investimit në Kosovë

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj, në intervistën e tij dhënë për FEDRA, një organizatë jo qeveritare në Bruksel që ka për synim promovimin e rajoneve evropiane, u fokusua në promovimin e investimeve të huaja në komunat e Kosovës. Artikulli përmbledh sektorët më të rëndësishëm për investime të huaja, si dhe tregon për veprimet e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për tërheqjen e këtyre investimeve. Ambasadori Nikaj theksoi që Kosova duhet të konsiderohet si një ndër shtetet me përparësi më të madhe konkurruese në rajon për shkak të fuqisë së re punëtore. 

Duke pasur parasysh që Kosova është një ndër shtetet më të decentralizuara në Kosovë, zhvillimi ekonomik dhe tërheqja e investimeve të huaja varet shumë nga komunat. Ambasadori Nikaj foli për investimin e qeverisë në profesionalizimin e administratës nëpër komuna, me c’rast përmendi hapjen e zyrave të regjistrimit të bizneseve në të gjitha komunat, gjë që ka mundësuar hapjen e bizneseve për një ditë. 

Për shkak të popullatës së re, specializimi në ofrimin e shërbimeve për teknologji informative është me rëndësi të veçantë për Kosovën. Kjo është ndër përparësitë më të mëdha konkurruese të Kosovës, pasi që Kosova ka dhe po investon në burimet njerëzore në mënyrë që të zhvillojnë ndërmarrësinë dhe të kenë qasje në tregun evropian. Me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, tregjet evropiane mund të qasen nga Kosova, prandaj kjo do të mund të tërheq investitorë. Ambasadori Nikaj gjithashtu theksoi që liberalizimi i vizave për Kosovën është shumë i rëndësishëm edhe në aspektin ekonomik. Kjo për shkak që të rinjtë do të kenë mundësi të takojnë bashkëmoshatarët e tyre evropian, bizneset do të mund të shkëmbejnë praktikat më të mira, si dhe të rrjetëzohen me bizneset evropiane. 

Turizmi gjithashtu është shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke pasur parasysh numrin e turistëve që vizitojnë rajonin për shkak të operatorëve turistik. Numri i backpackers në Prishtinë është rritur dukshëm, ku shumë turistë vijnë për të parë shtetin më të ri në Evropë por edhe për të kaluar kohë në jetën e gjallë sociale të kryeqytetit. Për shkak të pozitës së favorshme gjeografike, ka shumë turistë që vizitojnë të gjithë rajonin, përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë, Greqinë, apo Malin e Zi. 

Për më shumë, ju lutem shihni linkun më poshtë:

http://www.fedra.eu/index.php/blog/item/79-growth-picks-up-speed-in-kosovo-interview-with-ambassador-bernard-nikaj