Follow us on:

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi u takua me tre liderët e Bashkimit Evropian

Bruksel, 8-9 shkurt 2017 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi qëndroi për një vizitë dy ditore në Bruksel ku takoi liderët e tri institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian, Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, Presidentin e Parlamentit Evropian, Antonio Tajani Presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Në këto takime u diskutua mbi çështjet e interesit të ndërsjellë në raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Temë kyçe e takimeve ishte nevoja e përshpejtimit të procesit të integrimit të Kosovës në BE dhe liberalizimin e vizave për qytetarët tanë. U nënvizua që angazhimi politik dhe gjeostrategjik i BE-së është qenësor për Kosovën dhe rajonin, sepse ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.

 

Liderët e institucioneve të BE-së u treguan mbështetës të perspektivës evropiane për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, si dhe shprehën mirëkuptim dhe vullnet për ta përmbyllur procesin e liberalizimit të vizave duke e nënvizuar nevojën për ratifikimin e marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. 


Në këto takime presidenti Thaçi tregoi për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe theksoi nevojën për angazhim strategjik të BE-së në Kosovë dhe në Ballkan Perëndimor.  


“Jemi të përkushtuar për të ardhmen tonë evropiane dhe kemi bërë hapa të rëndësishëm që nga nënshkrimi MSA-së, mirëpo procesi i integrimit të Kosovës në BE duhet të përshpejtohet me veprime konkrete, sepse vonesat vetëm sa e dëmtojnë kredibilitetin e BE-së dhe e zbehin përkrahjen e qytetarëve të Kosovës për këtë proces”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar se 

është qenësore për Kosovën, për tërë rajonin, që Bashkimi Evropian të mbetet i angazhuar në Ballkanin Perëndimor dhe ky angazhim të jetë politik dhe gjeostrategjik.