Follow us on:

Zëvendëskryeministër i Parë dhe Ministër i Jashtëm, z. Behgjet Pacolli qëndroi për vizitë në Bruksel

Bruksel, 20-21 mars. Turi i takimeve në Bruksel brenda institucioneve europiane dhe atyre dypalëshe me shtetin belg të Ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, filloi me një fjalim dhe diskutim në Komitetin për Politikë të jashtme të Parlamentit Europian, drejtuar nga David Mc Allister.“Kosova pret në fund të afatit të diskutimeve me Serbinë, një Kontratë Paqeje ku Serbia e pranon vendin tonë si realitet i padiskutueshëm shtetëror”, tha Ministri i Jashtëm Pacolli. Ai, kërkoi liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në takim me Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, Ministri informoi për zhvillimet brendshme dhe politikën e jashtme. Me Komisionerin për Drejtësi dhe Punë të Brendshme u bisedua për liberalizimin e vizave. Në kuadër të vizitës takoi edhe homologun belg, Didier Reynders. 

 

Ministri Pacolli foli në gjuhët kryesore të Bashkimit Europian, fakt që u vlerësua si respekt për eurodeputetët dhe qytetarët europianë, nga kreu i këtij Komiteti, David McAllister. 


“Ne dimë se ju jeni ndërmarrës, dhe biznesi në ngjashmëri me politikën duan të arrijnë rezultate nëpërmjet negociatave, dhe duke u mbështetur në bashkëbisedues seriozë dhe të besueshëm, ndaj ne duam të bisedojmë me ju”, tha Mc.Allister, njëri nga deputetët më të rëndësishëm gjermanë, raportues për Serbinë dhe rajonin brenda Parlamentit Europian. 


Ministri Pacolli, veç të tjerash, madje pati dhe disa fjalë për Spanjën në spanjisht. Ai, theksoi në gjuhën spanjolle duke ju referuar aluzioneve që e lidhin pavarësinë e Kosovës me Katalonjën se pavarësia e Kosovës është një proces i mbështetur në zhvillimet e brendshme të fundshekullit të 20-të, kur Kosova rrezikonte mbijetesën e saj, dhe OKB, NATO mbikëqyrën pavarësinë dhe më në fund Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e legjitimoi shpalljen e pavarësisë. “Rrota e historisë nuk kthehet dot mbrapsht”, tha ministri Pacolli. 


Të gjithë eurodeputetët, me në krye David McAllister, theksuan qartë perspektivën europiane të Kosovës duke ju referuar votimit të sotëm nga Kuvendi i Kosovës, të Ligjit për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Mc. Allister tha se “Strategjia e Zgjerimit e prezantuar para disa ditësh, e sheh Kosovën si pjesë të zgjerimit”. “Ju e dini se Parlamenti Europian gjithmonë ka qenë në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën gjithmonë”, tha eurodeputeti tjetër sllovak, Kukan, mik i Kosovës, në favor të njohjes së saj nga Slovakia. “Votimi sot hap një dritare mundësish të shumta për Kosovën, duke filluar me liberalizimin e vizave. Mos e humbni këtë rast akoma”, ishte mesazhi i të gjithë eurodeputetëve, pa përjashtim. 


Pjesa më e madhe e fjalës së z. Pacolli ishte e fokusuar tek kërkesa për heqjen e pengesave për qarkullimin e lirë të kosovarëve në BE. “Ka rënë në mënyrë drastike numri i kosovarëve që kërkojnë azil”, tha ministri i jashtëm, duke bërë krahasim me vendet që e kanë tashmë liberalizimin e vizave. Në fjalën e tij, ministri Pacolli bëri, gjithashtu një pasqyrë të zhvillimeve të fundit në Kosovë, sa i takon ekonomisë, dialogut me Serbinë, fillimit nga puna të Dhomave Speciale, etj. Duke ju referuar këtyre të fundit, ai tha “Dhomat Speciale e humbin besueshmërinë nëse fillimi i punës së tyre shtyhet vazhdimisht”. Sa i përket dialogut me Serbinë, ministri Pacolli, tha se “Kosova pret, që ky dialog të ketë një afat dhe më në fund, një marrëveshje detyruese, njëlloj Kontrate paqeje, ku Serbia ta pranojë realitetin e Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur”. Diskutimi vazhdoi me eurodeputetët. Pas seancës, Ministri Pacolli zhvilloi takime të ndara me eurodeputetë të shumtë.

 

Komisioneri për për Drejtësi dhe Punë të Brendshme, Dimitris Avramopoulos përcolli dëshirën për lajme pozitive nga Kosova ‘Po pres lajme të mira nga Prishtina. Do isha njeriu më i lumtur ditën kur do firmosja liberalizimin e vizave me Kosovën’. Situata në Parlamentin e Kosovës u diskutua gjatë në këtë bashkëbisedim të parë midis dy politikanëve. “Jeni në një mjedis miqësor dhe ju e dini disponimin tim për Kosovën. Kosova është në qendër të Ballkanit dhe ne nuk duam një riballkanizim të rajonit, por duam që Kosova të jetë flamur i integrimit evropian”, pohoi ai. “Luftoni dukuritë negative, korrupsionin, elementet që stigmatizojnë negativisht vendin tuaj, dhe mezi pres të hap dyert e mundësive në institucionet evropiane, ndonëse situata nuk është më e mira”, theksoi më tej Komisioneri Avramopoulos. 

 

Ministri i jashtëm, Behgjet Pacolli, tha nga ana e tij, se “pas 3 vjetësh bllokimi, Kosova pritet ta votojë demarkacionin me Malin e Zi”. “Do të doja t’ju ftoja ta festonim lajmin së bashku me të rinjtë e vendit tim. Kushtet e BE-së për Kosovën nuk janë për interesin tuaj, por për të mirën tonë dhe unë jam mbështetës i madh i integrimit evropian”. “Si vende të vogla ne nuk mund të mbijetojmë në botën e sotme” - tha ministri Pacolli. 


Tutje, kryediplomati kosovar e përshkroi Qeverinë e sotme të Kosovës si “një qeveri mjaft dinamike që mund të bëjë shumë punë, nëse mbështetet nga institucionet evropiane” 

 

Në takim me Ministrin e Jashtëm të Mbretërisë së Belgjikës, z. Didier Reynders,  dy bashkëbiseduesit shprehën vullnetin për të rritur bashkëpunimin në fushën e shkëmbimeve tregtare që sot janë në nivel të ulët. “Na duhet që të vijojë ndihma e Belgjikës”, tha ministri Pacolli, i cili identifikoi disa fusha të bashkëpunimit prioritar, veçanërisht për integrimin ndërkombëtar, në UNESCO, Interpol, njohjet në zonën e Afrikës, etj. 


Ministri Reynders, e njohu zotëri Pacollin me një iniciativë të re të vendeve të BENELUX-it ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Shumë shpejt, theksoi kryediplomati belg, do të ketë vizita të ministrave të tyre të jashtëm dhe një samit të përbashkët mes krerëve të shteteve të dy rajoneve. Më pas nikoqiri i prezantoi zotëri Pacollit, mjedise të brendshme të Pallatit Egmont, një ndërtesë e shekullit të 16-të, dhe e përcolli atë me premtimin e një vizite të shpejtë në Kosovë. 


Marrëdhënie shumë të mira dypalëshe, por duhet të rrisim nivelin e bashkëpunimit tregtar dhe të koordinohemi për njohjet, ishin përfundimet e takimit mes dy kryediplomatëve të dy vendeve.