Follow us on:

Promovohet turizmi i Kosovës tek media dhe agjencitë turistike të Belgjikës

Prishtinë, 15 nëntor 2018 – Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel organizoi vizitë studimore në Kosovë për Qendrën për promovim të turizmit ROC, agjencive turistike dhe operatorëve të udhëtimit.

Me qëllim të promovimit të Kosovës si destinacion turistik për qytetarët belgë, Ambasada e Kosovës organizoi udhëtim studimor në të cilin morrën pjesë Qendra për Promovim të Turizmit (Het Reis- en Opleidingscentrum vzw, ROC), gazetarë të De Standaard dhe Travel Magazine, si dhe operatorët turistikë Andrejsreisen dhe Tui. Vizitorët u njohën me atraksionet turistike, shërbimet hoteliere dhe shërbimet e transportit me qëllim të përfshirjes së Kosovës në programet e turizmit për tregun belg.

Në vizitën katër ditore grupi studimor vizitoi Prishtinën, Pejën, Deçanin, Rahovecin, dhe Prizrenin. Gjatë kësaj kohe, vizitorët belgë patën mundësinë të njihen me atraksionet e Prishtinës siç është monumenti Newborn, bukuritë natyrore të Grykës së Rugovës, monumentet kulturore dhe religjioze në Pejë, Prizren, dhe Deçan, si dhe të testojnë verën në Rahovec.

Përfshirja e Kosovës në programet turistike në Belgjikë ka rëndësi të madhe sepse ndihmon komunikimin e drejtpërdrejtë në mes të shoqërisë belge dhe kosovare, përmison imazhin e vendit, zhvillon industrinë e turizmit, si dhe promovon eksportin e prodhimeve vendore me traditë siç është vera.

Vizita është mbështetur nga Swisscontact, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës dhe komuna e Pejës.