Follow us on:

20 Shkurt 2019 - Gjatë javës Ambasadori Bernard Nikaj mori pjesë në panele të ndryshme në Bruksel ku u diskutua për të ardhmen e Ballkanit dhe Kosovës

Në konferencën “Stabilitet në Evropën Juglindore – Siguri në të gjithë Evropën” të organizuar nga Fondacioni Hanns-Seidl i CSU-së dhe Akademia Politike e ÖVP-së u diskutua për rëndësinë që stabiliteti në Evropën Juglindore (EJL) e ka për tërë Evropën, si dhe u ritheksua fakti se Bashkimi Evropian do të jetë i plotë vetëm atëherë kur të integrohet rajoni i EJL-së.

Ambasadori Nikaj gjatë diskutimeve theksoi rëndësinë që procesi i integrimit e ka si për rajonin ashtu edhe për Kosovën. Në këtë kontekst Ambasadori Nikaj përmendi rëndësinë e përmbylljes sa më të shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës në mënyrë që ti hapet rruga të rejave dhe të rinjve të talentuar të Kosovës.

Po ashtu, në diskutimet e organizuara nga grupi parlamentar ALDE në Parlamentin Evropian me temën “Sfidat e dhjetë viteve të ardhshme për Ballkanin Perëndimor” u fol për të ardhmen e rajonit dhe raportin me Bashkimin Evropian. Ambasadori Nikaj theksoi faktin se vetëm integrimi i plotë i rajonit në BE do të sjellë paqe dhe stabilitet në rajon dhe në Evropë.