Follow us on:

Verërat e Kosovës të gatshme për tregun belg

Gjatë datave 25-27 shkurt përfaqësues të kompanive StoneCastle dhe Suhareka, duke përfshirë edhe pronarët z. Avdi Gecaj dhe z. Haziz Tafaj, qëndruan në Bruksel për të marrë pjesë në takime me distributorë të verave në Belgjikë të organizuara nga Ambasada e RKS në Bruksel si dhe për të marrë pjesë në festën e pavarësisë të mbajtur më 26 shkurt.

Takimet ishin tejet pozitive dhe shpresëdhënëse, sipas distributorëve belg klientët e tyre vazhdimisht interesohen për verën e Kosovës prandaj ata ishin të bindur se mund të arrihet marrëveshje për importimin e verës së Kosovës në Belgjikë. Ndërsa përfaqësuesit e verarive u shprehën se vera e Kosovës është cilësore, ka traditë dhe është gatshme për tregjet evropiane e botërore.

Distributorët kanë mbetur të testojnë verën e dy kompanive kosovare dhe të zhvillojnë takimet e dyta në panairin e verës në Duseldorf që do të mbahet më 17 mars 2019. Po ashtu, për të lehtësuar shitjen e verës së Kosovës në Belgjikë, Ambasada në Bruksel është duke përpiluar një listë të restoranteve në pronësi të mërgatës.

Për më shumë, gjatë pritjes për festën e pavarësisë së Republikës së Kosovës në Bruksel musafirët patën mundësinë të shërbehen me verën e Kosovës. Në këtë rast Ambasadori Bernard Nikaj falenderoi kompanitë StoneCastle dhe Suhareka wines për mbështetjen dhe ju bëri thirrje të pranishëmve që të të shijojnë verën e Kosovës.