Follow us on:

Seminar me mësuesit e mësimit plotësues shqip në Belgjikë dhe Luksemburg

Bruksel, 29 shtator 2019 - Në kuadër të projektit të trajnimit të mësuesve shqiptarë për punën me setin e doracakëve didaktikë të mësimit të gjuhës së prejardhjes, në ambientet e Qendrës Kulturore \"Vatra\" u mbajt seminar me mësuesit e mësimit plotësues shqip në Belgjikë dhe Luksemburg.

Ky projekt është zhvilluar nga Qendra për Projekte Ndërkombëtare të Edukimit (IPE) e Shkollës së Lartë Pedagogjike të Cyrihut dhe Ministra e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Republikës së Kosovës.

Në këtë seminar ligjërues ishin z.Nexhat Maloku - docent në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Cyrihut dhe Kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptar në Zvicër \"Naim Frashëri\", dhe z.Nuhi Gashi - zyrtar i Ministrisë së Arsimit dhe njëherësh bashkëpunëtorë i projektit.

z.Amet Gjanaj nga \"Vatra\" në fjalën hapëse falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për gatishmërinë dhe tha se uron që ky të jetë një hap tjetër në vazhdimin e përpjekjeve për zhvillimin e mësimit plotësues shqip në diasporë.

Ndërsa z.Kenan Tora nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel përshëndeti organizimin e këtij seminari dhe nënvizoi se “mësimi plotësues shqip, këtu, është më shumë sesa dije e njohuri, është një nga dimensionet kryesore të trashëgimit të dashurisë për atdheun përmes gjuhës dhe kulturës tonë”.