Follow us on:

Ambasada e Kosovës në Bruksel organizoi pritje për 12-vjetorin e Pavarësisë

Bruksel, 17 shkurt 2020 - Në ambientet e Cercle Royal Gaulois, Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel organizoi një pritje në nderim të 12-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Pjesëmarrës në shënimin e kësaj dite të rëndësishme për Kosovën ishin përfaqësues nga autoritetet e Mbretërisë së Belgjikës, përfaqësues nga trupi diplomatik i akredituar në Bruksel, përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian, NATO-s, si dhe përfaqësues nga komuniteti shqiptarë që jeton në Belgjikë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ambasadori i Kosovës në Bruksel, z. Bernard Nikaj theksoi të arriturat dhe sfidat me të cilat është përballur Republika e Kosovës gjatë këtyre 12 viteve. Duke cilësuar Republikën e Kosovës si një histori suksesi, Ambasadori Nikaj shprehu mirënjohje ndaj bashkëpunimit me autoritetet belge dhe ato të Bashkimit Evropian duke apeluar dhe njëher në shtyerjen përpara të proceseve të hapura në raport me BE-në.

I pranishëm në këtë mbrëmje ishte dhe Ministri i Financave dhe Transfereve i Kosovës, z. Besnik Bislimi, i cili përshëndeti të pranishmit.

Kjo mbrëmje u pasurua artistikisht nga interpretimet e shkëlqyera të pianistit Andi Duraku dhe violinistit Rron Bakalli të ardhur ekskluzivisht nga Kosova, ndërkohë që sfidat e rrugëtimit të Kosovës drejt proceseve në raport me BE u pasqyruan edhe përmes 12 karikaturave të punuara mjeshtërisht nga Jeton Mikullovci.

Ambasada u kujdes që për të gjithë të pranishmit të vijë një shije e ngrohtë Kosove përmes ushqimit tradicional dhe rreth shtatë varieteteve të verërave ofruar nga Veraria Stone Castle.