Follow us on:

Pritje solemne e parë në Luksemburg për nder të 12-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

Luksemburg, 20 shkurt 2020 - Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel organizoi pritje solemne në Luksemburg për nder të përvjetorit të dymbëdhjetë të Pavarësisë së Kosovës dhe përvjetorit të njohjes së Kosovës nga Luksemburgu. Kjo është hera e parë që Kosova organizon pritje solemne në Luksemburg.

Pritja u mbajt në sallën prestigjioze Cercle Cite në qendrën historike të Qytetit të Luksemburgut ku të pranishëm ishin përfaqësues të shumtë të korit diplomatik, të institucioneve luksemburgase, të Ushtrisë së Luksmeburgut, të bizneseve, të artit e të kulturës, si dhe të komunitetit shqiptar që jeton dhe vepron në Luksemburg.

Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadori jo-rezident i Republikës së Kosovës në Luksemburg, Sh.T. Bernard Nikaj, duke iu uruar mirëseardhje të pranishmëve, kujtoi 17 shkurtin e vitit 2008, si dhe njohjen e Luksemburgut që pasoi më 21 shkurt 2008. Ai ndër të tjera falënderoi Luksemburgun për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që i jep Kosovës si dhe theksoi se “pa angazhimin e figurave politike, ushtrisë, aktivistëve të ndryshëm, e sidomos diasporës shqiptare të Luksemburgut, Kosova nuk do të ishte këtu ku është sot”.

Ambasadori Nikaj ritheksoi përkushtimin e Kosovës në thellimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të miqësisë dhe partneritetit me Luksemburgun.

Mbrëmja u përmbyll me një koktej rasti me ç\'rast të ftuarve iu shërbye verë kosovare ofruar nga Stone Castle si dhe ushqim tradicional ofruar me mjaft bujari nga furra me pronarë kosovar Au Bon Pain nga Bergem, Luksemburg.