Follow us on:

Mbahet takimi i katërt i Këshillit të Stabilizim-Asociimit midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian

Bruksel, 30 nëntor 2020 - Takimi i katërt i Këshillit për Stabilizim-Asociimit (Këshilli i SA) midis Bashkimit Evropian dhe Kosovës është mbajtur të hënën në Bruksel, nën kryesimin e Përfaqësuesit të Lartë për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, z. Josep Borrell dhe Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti. Ky takim për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia COVID 19 është mbajtur përmes video-konferencës.

Në Delegacionin e Kosovës morën pjesë edhe zëvendëskryeministri z. Driton Selmanaj dhe ministrat znj. Meliza Haradinaj-Stublla, z. Agim Veliu, znj. Hykmete Bajrami, z. Selim Selimi, z. Besian Mustafa dhe z. Vesel Krasniqi.

Komisioneri për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat për Zgjerim, z. Olivér Várhelyi, e përfaqësoi Komisionin Evropian.

Në takim mori pjesë edhe Përfaqësuesi Special i BE-së Miroslav Lajçak, Ambasadori për Bashkim Evropian dhe i Ngarkuari me Punë i ARKS në Bruksel, Astrit Zemaj si dhe Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Në këtë takimi virtual anëtarët e Këshillit të Stabilizim Asociimit rishikuan përparimin e Kosovës në rrugën e saj evropiane pas publikimit të Raportit të Komisionit Evropian 2020 për Kosovën.

Pjesëmarrësit diskutuan për zhvillimet kryesore në lidhje me kriteret ekonomike, bashkëpunimin financiar dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit 2015.