Follow us on:

Kosova në Samitin e Sofjes rikonfirmoi përcaktimin për fqinjësi të mirë dhe dialog

Sofje, 18 maj -Të enjten Sofja ishte mikpritësja e Samitit ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian. Forumi shënoi ngjarjen më të madhe në kuadrin e Presidencës Bullgare të Këshillit të Bashkimit Evropian. Kryetari i Këshillit të BE-së DonaldTusk e cilësoi atë si mundësia e parë për 15 vitet e fundit për diskutim të drejtpërdrejtë të liderëve të Ballkanit Perëndimor me homologët e tyre nga Bashkimi Evropian.

Përtej rrjedhës se përgjithshme te kësaj ngjarje, vlen të theksohet se  Republika e Kosovës  është trajtuar në nivel të barabartë me të gjitha vendet tjera pjesëmarrëse. Republika e Kosovës në Samit u përfaqësua  nga Presidenti Hashim Thaqi, i cili kryesoi delegacion në përbërje të cilit ishin edhe Kryeministri Ramush Haradinaj, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli dhe Ambasadori Shpend Kallaba.


Ne adresimin e tij, Presidenti  Hashim Thaçi, në hapjen e punimeve të Seancës Plenare të Samitit, ku u trajtua tema "Fuqizimi i të gjithë dimensioneve të ndërlidhjes (socio-ekonomike, fizike, digjitale dhe njerëzore)", tha se ky samit po zhvillohet në një moment të rëndësishëm për Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor.


“Ky samit midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor është një sukses i jashtëzakonshëm i përbashkët, por në veçanti i nikoqirëve tanë, presidencës bullgare. Suksesi i këtij samiti bazohet në ruajtjen e angazhimit me shtetet e Ballkanit Perëndimor përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe të barabartë, si dhe mbështetet në parimin e rëndësishëm sipas të cilit i gjithë Ballkani Perëndimor gëzon një perspektivë evropiane”, ka thënë Presidenti Thaçi.


Kreu i shtetit deklaroi se kjo përfshinë strategjinë e muajit shkurt të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, si dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës përmes nismave të shumta, në mesin e tyre edhe Procesi i Berlinit, agjenda e ndërlidhjes dhe Plani shumëvjeçar i Veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale, si dhe forume të tjera që synojnë t’i afrojnë shtetet e Ballkanit Perëndimor me njëra-tjetrën dhe më pranë Bashkimit Evropian.  


“Kam kënaqësinë që gjithashtu personalisht të konfirmoj mbështetjen e Kosovës për përmbajtjen e deklaratës së këtij samiti dhe të agjendës prioritare të Sofjes. Ne i mbështesim plotësisht parimet kyçe të bashkëpunimit të forcuar, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe nevojës për zgjidhje të qëndrueshme dhe të detyrueshme të mosmarrëveshjeve dypalëshe”. 


Para liderëve evropianë e ballkanikë, presidenti Thaçi tha se Kosova është dhe do të mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj këtyre qëllimeve, duke përfshirë dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. 


Përgjatë zhvillimeve te punimeve te Samitit, liderët e vendit kanë zhvilluar edhe disa takime me përfaqësues të lartë të shteteve prezentë ne samit. 


Me të arritur në Sofje, takimin e parë Presidenti i Republikës së Kosovës e ka zhvilluar me përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini.


Gjatë këtij takimi është biseduar per rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në Samitin historik të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe perspektivën e qartë evropiane të Kosovës dhe fqinjëve tanë.


“Kemi folur për procesin e liberalizimit të vizave dhe pritshmëritë e qytetarëve të Kosovës për të lëvizur këtë vit të lirë në zonën Shengen. Me zonjën Mogherini, po ashtu biseduam për domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. 


Punimet e këtij samiti kanë qenë një mundësi e mirë edhe për takime dypalëshe, të cilat janë aranzhuar në koordinim të ARKS-se dhe institucioneve respektive të vendeve tjera pjesëmarrëse. 


Ne këtë kontekst, Presidenti Thaqi, Kryeministri Haradninaj dhe Ministri i Jashtëm Pacolli kanë zhvilluar takime me drejtues të lartë të vendeve pjesëmarrëse, përfshi këtu;  kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel, Presidentin francez Emmanuel Macron, Kryeministrin e Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen,  Kryeministrin e Belgjikës, Charles Michel Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, Kryeministrin e Greqisë, Alexis Tsipras, Komisionerin Hahn si dhe shumë përfaqësues të shteteve tjera të pranishme në Samit. 


Forumi Ekonomik Botëror- Zëvendës Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli në adresimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror të mbajtur në Sofje, ka vlerësuar  se bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor është çelës për shfrytëzimin e potencialit ekonomik të rajonit tonë.


“Pasi po shohim një revitalizim të marrëdhënieve në mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, duhet të shfrytëzojmë sa më mirë këtë moment. Ballkani Perëndimor përsëri është lart në agjendën e BE-së”, ka thënë Pacolli.


Sipas tij  Procesi i Berlinit ka siguruar që reformat në rajon të mos ndalen. “Procesi i Berlinit ishte fokusuar veçanërisht në konektivitet. Jam i kënaqur që koncepti i konektivitetit është zgjeruar edhe në infrastrukturat tjera si ajo digjitale. Rajoni ynë ka potencial për më shumë bashkëpunim dhe shkëmbim tregtar, si dhe për mobilitet të njerëzve. Ndër të arriturat e fundit të vendeve të Ballkanit Perëndimor është miratimi i Agjendës për Reformën e Investimeve Rajonale”, ka thënë ai. 

 

Në lidhje me këtë Zëvendëskryeministri Pacolli ka deklaruar se mosmarrëveshjet bilaterale në nivel politik vazhdojnë të  mbesin ende pengesë. Sipas tij, fokusi duhet të jetë në heqjen e barrierave dhe lejimin e lëvizjes së lirë të investimeve, të mirave dhe njerëzve duke qenë e rëndësishme që BE të marrë qëndrim të guximshëm dhe të thotë që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të anëtarësohen në BE në të njëjtën kohë. Gjate fjalës se tij, Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, po ashtu  ka theksuar se Kosova do të mbetet e përkushtuar për bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë në mes të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor.


Forumi Ekonomik i Vjenës- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në punimet e  Forumit Ekonomik të Vjenës, ku në fjalën e tij ka vlerësuar  Kosovën si një treg të përshtatshëm dhe të hapur për investime të huaja direkte.


“Kosova është një vend i vogël, me vetëm 2 milionë banorë dhe ne jemi ndër vendet e rralla që kemi shpenzuar paratë nga buxheti ynë për të realizuar projekte të mëdha infrastrukturore. Tani është koha që të kemi investime të reja në shumë fusha, veçmas në miniera dhe telekom. Ne jemi të hapur për të gjithë investitorët dhe ky forum është mundësi e mirë për t’i ndarë këto mundësi”, tha Kryeministri Haradinaj në fjalën e tij hyrëse para panelit të përbërë prej Kryeministrave të vendeve të Ballkanit dhe Bullgarisë.


Ai paraqiti interesimin e Kosovës për projekte nga fusha e Infrastrukturës, me theks të veçantë investimet e huaja, tregtinë, digjitalizimin dhe mobilitetin, që ishin edhe temë e këtij forumi, duke shpalosur të arriturat e deritashme në fushën infrastrukturore dhe faktin që vendi në bashkëpunim me EBRD dhe EIB, është duke planifikuar projekte të cilat e lidhin akoma më shumë me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe me vendet Evropiane.Vendet e Ballkanit sipas tij, duhet më shumë të flasin me njëri tjetrin, sesa të flasin për njëri tjetrin.


Pjesë e Forumit Ekonomik të Vjenës, përveç Kosovës ishin shtetet si Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia. Kosova u përfaqësua Kryeministri Ramush Haradinaj, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha dhe Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj.