Follow us on:

Kultura duhet te jetë segmenti bartës në marrëdhëniet dypalëshe Kosovë - Bullgari

Sofje, 11 dhjetor, 2018 - Ambasadori i Republikës së Kosovës në Sofje, Edon Cana i shoqëruar nga diplomati, Bujar Desku kanë zhvilluar një takim me ministrin e Kulturës se Bullgarisë Boil Banov ku në qendër te diskutimeve ishin marrëdhëniet ndërkulturore ndërmjet dy vendeve.

Ambasadori Cana duke falënderuar ministrin Banov për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë ndaj Kosovës, ka vlerësuar se kultura së bashku me ekonominë duhet të jenë dy segmentet bartëse dhe referuese per marrëdhëniet dypalëshe.

“Kosova dhe Bullgaria kanë marrëdhënie te shkëlqyera në të gjitha fushat, por vlerësoj se kultura dhe ekonomia duhet të jenë promotorë te bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona. Kosova sikurse dhe Bullgaria kanë emra te njohur ne boten e muzikës dhe kulturës ne përgjithësi, dhe kjo është një arsye shtesë per bashkëpunim ne këtë lëmi”.

Në këtë kontekst Ambasadori Cana ka deklaruar se në kuadër te Javëve respektive, te Kosovës në Bullgari dhe asaj bullgare ne Kosovë promovimi kulturor te jetë ne qendër te këtij organizimi. Kjo sipas Ambasadorit Cana, do t’u mundësonte artisteve te prezantonin vlerat e tyre te ndërsjella si dhe njëherit do te krijonte hapësirë për projekte të përbashkëta mes artisteve të të dyja vendeve. Në lidhje me këtë ambasadori Cana dhe ministri Banov, kanë diskutuar për marrëveshjen për Co-Production, e cila tashmë është negociuar, dhe finalizimi i saj do të hapte rrugë edhe formalisht bashkëpunimit ne këtë segment.

Si një mundësi e mirë bashkëpunimi është vlerësuar edhe edicioni tradicional i filmit dokumentar “DokuFest”, me ç’ rast ambasadori Cana ka vlerësuar qe se bashku me projektet filmike, do të ishte nder që ministri Banov të ishte mysafir i këtij festivali.

Në këtë kuadër ministri Banov duke falënderuar ambasadorin Cana për vlerësimet, ka shprehur gatishmëri që bashkëpunimi të shtrihet edhe me tej, duke vënë theksin tek sektori i muzeve, që do të ishte me interes të ketë me shumë shkëmbim informacionesh e përvojash. Po ashtu gjate këtij takimi një vend të rëndësishëm e ka zënë edhe diskutimi rreth kalendarit kulturor të vitit të ardhshëm ku qyteti i Plovdivit do të jetë kryeqendra kulturore e Evropës.

Ky fakt, sipas ambasadorit Cana është shumë i rëndësishëm dhe pozitiv, dhe Ambasada e Republikës se Kosovës së bashku me institucionet kompetente janë fokusuar që të jenë sa më të përfaqësuar në aktivitetet që do të organizohen gjatë kësaj periudhe.