Follow us on:

“Java kulturore e Kosovës” pjesë e kalendarit te Plovdivit si kryeqendër e kulturës evropiane

Sofje, 13 dhjetor-Vetëm një ditë pasi Ambasadori I Republikës se Kosovës Edon Cana dhe ministri per Kulturë i Bullgarisë Boil Banov, kanë rene dakord qe ne krye te agjendës dypalëshe të venë bashkëpunimin kulturor, alternativat e para për të konkretizuar këtë ide janë diskutuar ne një takim qe Ambasadori Cana ka zhvilluar me kryetarin e Plovdivit, Ivan Totev.

Në këtë takim ku Ambasadori Cana ishte i shoqëruar nga diplomati Bujar Desku, u dakordua me kryetarin Totev që Kosova të jetë pjesë aktive e kalendarit të aktiviteteve kulturore që do të organizohen gjatë vitit te ardhshëm. “Qyteti i Plovdivit per 12 muaj rresht do të jetë kryeqendra e kulturës Evropiane, dhe Republika e Kosovës do te ketë këndin e saj ku artistë te zhanreve te ndryshme do te kenë mundësi te përformojnë dhe prezantojnë vlerat e tyre kulturore ” .
Nga ana e tij, kryetari Totev, duke vlerësuar propozimin e Ambasadorit Cana, tha se ai si drejtues i qytetit te Plovdivit është i kënaqur kur te tjerët interesohen te jenë pjesë e aktiviteteve qe ata organizojnë.

Ndërkaq, diskutimin e detajeve Ambasadori Cana, e ka vazhduar me Alexander Darzhikov, nënkryetar dhe përgjegjës kryesor për Kulturë në komunën e Plovdivit. Ne këtë kuadër Ambasadori Cana ka hedhur idenë e organizimit te Javës Kulturore të Kosovës ne Plovdiv, përgjatë vitit te ardhshëm, respektivisht ka diskutuar dhe është dakorduar në parim për formatin dhe nivelin e pjesëmarrjes. Për më tepër nënkryetari Darzhikov ka shprehur gatishmëri qe artisteve nga Kosova t’u mundësoj një sallë moderne si dhe nje galeri per ekspozita të ndryshme.

Përtej, këtij dimensioni, gjatë takimit me krerët e Komunës se Plovdivit, Ambasadori Cana ka hedhur edhe idenë e binjakëzimit te Plovdivit me Prizrenin, duke vlerësuar se te dy këto qytete kane shume karakteristika historike dhe kulturore të përafërta. Nga ana tjetër, kjo gjë është mirëpritur nga kryetari Totev, i cili tha se binjakëzimi është forma me gjithëpërfshirëse dhe para se gjithash është një konfirmim se te dyja qytetet duan te kenë bashkëpunim te përhershëm.