Follow us on:

Ambasada e Republikës se Kosovës në Sofje shënon 12 vjetorin e Pavarësisë

Sofje, 17 shkurt 2020 - Ambasada e Republikës se Kosovës ne Sofje ka shënuar 12 vjetorin e Pavarësisë me një pritje solemne me praninë e shumë Diplomatëve, drejtuesve e zyrtarëve të institucioneve vendëse, si dhe përfaqësues te mediave, biznesit e shoqërisë civile që veprojnë në Bullgari.

Ne fjalën e tij përshëndetëse, Ambasadori Republikës se Kosovës në Sofje, Edon Cana duke ju uruar mirëseardhje te pranishmeve, ka thënë se shënimi i Ditës se Pavarësisë se Republikës se Kosovës, paraqet ditën më të rëndësishme të historisë së shtetit të ngritur mbi synimin, sakrificën dhe kontributin e të gjithë qytetarëve.


Me këtë rast, Ambasadori Cana duke shprehur gjithë respektin personal dhe institucional, për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës, tha se në këtë përvjetor të 12-të të Pavarësisë, Ambasada e Republikës së Kosovës ka vendosur që ta kremtojë në shenjë mirënjohje të sakrificës së një prej kategorive më sublime të shoqërisë sonë.

“Sonte në mesin tonë kemi heroinat e Krushës, një fshati që përjetojë një nga ngjarjet më tragjike gjatë luftës. Këto gra të prira nga znj.Fahrie Hoti, janë dëshmia më e mirë se si vuajtjet e përjetuara në luftë shndërrohen në motiv dhe energji pë punë e jetë. Andaj para së gjithash, këto heroina meritojnë respektin tone”.

“Shumica e burrave në këtë fshat u ekzekutuan dhe shumë gra mbeten të veja. Ato për mua janë një simbol i Kosovës së re, sepse e shndërruan tragjedinë në shpresë. Menjëherë pas luftës Faria Hoti, e cila humbi burrin e saj, vendosi të krijojë një kooperativë që do të japë mundësi ekonomike për të vejat e fshatit, në mënyrë që ata të fitojnë pavarësinë e tyre financiare dhe të duken të aftë për fëmijët e tyre pa baba. Filloi si shpresë dhe u shndërrua në një kooperativë plotësisht funksionale me më shumë se 100 gra te punësuara”, tha Ambasadori Cana.

“Jam shumë i lumtur që ju prezantova zonjën Farie Hoti dhe jam mirënjohës për punën dhe përkushtimin e saj. Pra, sot përveç përkujtimit, ne gjithashtu mund të promovojmë produktet e tyre që me shpresë do t’i pëlqeni dhe do t’ua rekomandoni miqve tuaj në mënyrë që këto produkte të mund të shiten edhe në Bullgari”.

Gjate fjalës se tij Ambasadori Cana është ndalur edhe tek raportet ne mes dy vendeve. Ai tha se përkrahja dhe mbështetja e Bullgarisë ndaj Kosovës, tanimë ka traditë. “Bullgaria ka qëndruar përkrah Kosovës qe nga viti 1999, në çdo proces, në çdo nismë, në çdo tryeze dhe në rrugën e saj Euro-Atlantike, andaj ne emër te Institucioneve te Republikës se Kosovës ju falënderoj dhe u jemi mirënjohës pafund”, tha z.Cana.

Duke folur në kontekst të raporteve të mira në mes të dyja vendeve, Ambasadori Cana tha se agjenda e marrëdhënieve dypalëshe është e orientuar ne intensifikimin e bashkëpunimit në fusha me interes racional, me fokus në ekonomi, tregti dhe kulturë, segmente që janë mekanizma simbol të bashkëpunimit modern midis shteteve.

Këtë ceremoni festive, të shoqëruar me një ekspozitë të përgatitur nga kreatoret kosovare, produkte vendore, dhe tingujt e ikonës së muzikës shqipe, zonjës Nexhmie Pagarusha, e kanë ndëruar me prezencën e tyre edhe shumë ambasadorë, ai i SHBA-ve, Gjermanisë, Zvicrës, Shqipërisë, Italisë, Francës, Holandës, Nuncit Apostolik te Vatikanit, Kroacisë, Malit te Zi, përfaqësuesin e Ambasadës se Greqisë si dhe diplomatë të vendeve të ndryshme të akredituar në Sofje.