Follow us on:

Presidenti Radev dhe Ministrja e Jashtme Zaharieva vlerësojnë punën e Ambasadorit Cana në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe

Presidenti i Bullgarisë Rumen Radev dhe Ministrja e Punëve të Jashtme Ekaterina Zaharieva në takimet e organizuara me rastin e përfundimit te mandatit të Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Bullgari Edon Cana, kanë vlerësuar lartë kontributin e tij në thellimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve. Përmes një video- konference të organizuar nga Presidenca, Presidenti Radev ka vlerësuar se Cana gjatë mandatit të tij si Ambasador i Republikës se Kosovës në Bullgari, ka dhënë një kontribut të çmuar në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe në mes dy vendeve në fusha të ndryshme.

Ambasadori Cana ka falënderuar Presidentin Radev për vlerësimin e dhënë, dhe bashkëpunimin e treguar ndërmjet Ambasadës së Republikës së Kosovës dhe Institucionit të Presidentit të Bullgarisë.

Në referencë të situatës aktuale si pasojë e pandemisë, Ambasadori Cana dhe Presidenti Radev kanë diskutuar edhe rreth mundësisë së realizimit të një vizite të Presidentit Radev në Kosovë, në një periudhë të përshtatshme kohore.

Ambasadori Cana është pritur në një takim edhe nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve te Jashtme e Bullgarisë Ekaterina Zaharieva.

Duke folur për raportet në mes dy vendeve, Ambasadori Cana ka deklaruar se Republika e Kosovës dhe Republika e Bullgarisë kanë raporte të shkëlqyera, që mund të shërbejnë si shembull për rajonin.

“Edhe në këtë takim dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për institucionet bullgare. Kosova e konsideron Bullgarinë një shtyllë të fortë në zhvillimin e saj ekonomik, tregtinë, turizmin dhe infrastrukturën. Ne mbetemi mirënjohës që në aspiratat tona euroatlantike, Bullgaria është një nga shtytësit kryesorë te Republikës së Kosovës dhe për vendet tjera të rajonit, dhe në asnjë rast nuk ka hezituar të ndajë përvojën dhe njohuritë e saj në këto procese të cilat në rajon dinë të jenë delikate”.

Në anën tjetër Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme Ekaterina Zaharieva vlerësoi lartë punën e Ambasadorit Cana.

Gjatë takimit, u diskutuan mundësitë për thellimin e marrëdhënieve bilaterale ekonomike midis Bullgarisë dhe Kosovës, përfshirë në fushën e tregtisë, infrastrukturës dhe sektorit të bujqësisë, si dhe finalizimin e një numri prej rreth 15 marrëveshjeve bilaterale të cilat janë negociuar apo janë në faza të përafërta procedurore dhe të cilat kanë mbetur peng i situatës aktuale, si pasojë e pandemisë.