Follow us on:

Kitaristi Hoxha vizitoi ambasadën e Kosovës në Sofje

Sofje, 30 dhjetor 2020 - I ngarkuari me punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Sofje Agron Smakiqi, ka pritur në një takim kitaristin e njohur Shefqet Hoxha – Sheki.  Artisti shumëdimensional i cili aktualisht është pjesë e orkestrës së Radio Televizionit të Kosovës, gjatë viteve ’80 ka qenë instrumentist dhe orkestrues në Orkestrën e Radio Prishtinës, derisa është edhe emër i njohur për publikun bullgar. Sheki që nga vitet e 90-ta ka jetuar në kryeqytetin bullgar, duke performuar  bashkë me emrat më të njohur të skenës së xhazit në Bullgari, vazhdon të jetë aktiv në koncerte, para publikut bullgar si dhe pjesë e shume jurive të festivaleve tradicionale me karakter garues ndërkombëtare që mbahen ne Bullgari.

Duke pas parasysh krijimtarinë artistike të artistit Hoxha, i ngarkuari me punë Smakiqi, ka vlerësuar kontributin e tij për promovimin e imazhit të Republikës së Kosovës në Bullgari dhe më gjerë. Në ketë kontekst ata së bashku kanë vlerësuar që në varësi të rrethanave të krijuara nga pandemia, të shihet mundësia e intensifikimit të marrëdhënieve ndërkulturore në mes dy vendeve, e sidomos në zhanrin qe përfaqëson artisti Hoxha e që njëherësh është edhe segmenti më me traditë në muzikologjinë bullgare. Artisti Hoxha ka falënderuar ARKSS-në për pritjen dhe bashkëpunimin e treguar.