Vizitë e delegacionit të Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit të Republikës së Kosovës

Me ftesë të Agjencisë së Administrimit të Transportit Rrugor të Republikës së Bullgarisë, për vizitë zyrtare dy ditore në Sofje (20-22 tetor 2010) ka qëndruar delegacioni i ekspertëve nga Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit të Republikës së Kosovës si dhe zyrtari ligjor nga Ministria e Punëve të Jashtme/Departamenti për të Çështje Ligjore dhe Traktate.

Qëllimi i vizitës ishte që në nivel ekspertësh të shqyrtohen detajet e propozim marrëveshjes për “Transportin rrugor ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave” në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Bullgarisë.  Gjatë vizitës në Sofje, delegacioni nga Kosova u takua me Drejtorin e Stacionit Qendror të Autobusëve në Sofje, z. Ivan Miroslavov me të cilin u diskutua për procesin dhe praktikat e privatizimit të Stacionit të Autobusëve dhe funksionimit të tij, pastaj për bashkëpunimin më Ministrinë e Transportit, strukturat komunale dhe bashkëpunimin me operatorët tjerë të transportit. Pas prezantimit të shkurtër nga ana e delegacionit kosovar në lidhje me gjendjes dhe organizimin e stacioneve të autobusëve në Republikën e Kosovës, z. Miroslavov njoftoi për privatizimin e Stacionit, modalitetet e bashkëpunimit me institucionet lokale dhe operatorët transportues, organizimin e punëve, hapësirës dhe personelit. Stacioni qendror në Sofje është në pronësi të kombinuar publiko-private (25% komuna dhe 75% aksionarët), kurse udhëhiqet nga menaxherët profesional të punësuar. Autoritetet komunale përcaktojnë taksat hyrëse dhe linjat me itinerare të udhëtimit, kurse udhëheqësit e stacionit menaxhojnë me të hyrat nga reklamimi dhe aktivitetet tjera. Stacioni shërben rreth 200 linja ditore dhe ka mbi 300 hyrje-dalje ditore të autobusëve.

Delegacioni i ekspertëve nga Kosova në zyrat e Ministrisë së Transportit, Teknologjisë Informative dhe Komunikimeve të Republikës së Bullgarisë zhvilloi takimin me Znj. Christina Velinova, Drejtore e Departamentit Ligjor në Agjencinë e Administrimit të Transportit Rrugor,  Znj. Tsvetelina Ilieva-Yordanova, Zyrtare ligjore dhe Z. Nikolay Kutsev, Ekspert i Lartë në Ministrinë e Transportit të Republikës së Bullgarisë, me të  cilët u shqyrtua propozim-marrëveshjen për “Transportin Ndërkombëtar të Udhëtareve dhe Mallrave” në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Bullgarisë. 

Gjatë takimit nga dy kryesuesit e delegacioneve, Z. Qamil Feka dhe Znj. Christina Velinova u prezantuan qëndrimet dhe politikat e transportit rrugor për të dyja vendet dhe u theksua nevoja e bashkëpunimit bilateral, kurse nënshkrimi i kësaj marrëveshje do të reflektonte nivelin aktual të zhvillimeve të transportit në mes të dyja vendeve dhe do të jetë në përputhje me standardet komunitare dhe ato ndërkombëtare. Propozim-marrëveshjes në fjalë iu bënë përmirësimet teknike që kishin të bëjnë me kabotazhin dhe me njohjen reciproke te dokumenteve të transportit. Në fund të takimeve dy ditore dhe pajtimit të dyanshëm, delegacionet nënshkruan tekstin përfundimtar të marrëveshjes dhe të protokollit, e cila do të dërgohet për procedurën e rregullt të miratimit. Përpos ndryshimeve në projekt-marrëveshje, të dyja palët u pajtuan që të iniciohet bashkëpunimi për përkrahjen e Republikës së Kosovës në themelimin e Agjencisë për Transportin rrugor, ngritjen e kapaciteteve dhe bashkëpunimit të inspektoratit të transportit dhe në procesin e digjitalizimit të takografisë.    

Prapa

Shpend Kallaba

Ambasador i Republikës së Kosovës në Sofje

Ambasada e Republikës së Kosovës në Sofje
Adresa:
26-30 Bacho Kiro Str. 1000 Sofje, Bullgaria

Tel:+359 (0)29833-999
Fax:+359 (0)29835-222

E-mail:embassy.bulgaria@rks-gov.net 

Seksioni konsullor
Orari i punës me palë:
Çdo ditë pune nga 11:00-14:00

Pagesat për shërbimet konsullore bëhen në këtë llogari bankare:
BG71RZBB91551034160802
Raiffeisen Bank Bulgaria AD
BIC: RZBBBGSF