Follow us on:

Malaj për NZZ: Ata janë ambasadorë të jashtëzakonshëm

Bernë, 12 qershor 2014 - Gazeta më e madhe zvicerane “Neue Zürher Zeitung” NZZ, më 11 qershor 2014, në një faqe të plotë e ka botuar një intervistë me ambasadorin e Kosovës në Zvicër, z. Naim Malaj, me titull “Ata janë ambasadorë të jashtëzakonshëm”. Ndërsa në webfaqen online, NZZ intervistën e boton me titullin “Shaqiri dhe Co, janë ambasadorë të jashtëzakonshëm”. Intervista, e publikuar në prag të Botërorit 2014 i kushtohet futbollit dhe implikimit të politikës në të, kufizimeve që ka Kosova në ndeshjet ndërkombëtare të futbollit.

Republika e Kosovës po bën përpjekje për njohje. Naim Malaj, ambasador i Republikës së Kosovës, në Zvicër shpjegon rëndësinë e futbollit në këtë proces.

Nzz: “Z. ambasador, ku keni qenë më 5 mars?”

Malaj:
“Në Mitrovicë, ku është zhvilluar ndeshja e parë e përzgjedhjes sonë nacionale. Loja kundër Haitit ka qenë më shumë se një lojë futbolli: ka qenë një eveniment historik për vendin tonë të ri. Dhe ka qenë një festë”, është përgjigjur ambasadori, ndërsa pyetjes se çfarë nënkupton ai në këtë rast me festë, Malaj i është përgjigjur se ka qenë për herë të parë në një ndeshje në të cilën më tepër duartrokitje kanë marrë kundërshtarët se skuadra vendëse. “17000 shikuesit shprehnin mirënjohjen e tyre se Haiti është ekipi i parë nacional që në përgjithësi luan kundër përzgjedhjes kosovare. Të pranishëm kanë qenë kryeministri por edhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare dhe ambasadorja e Zvicrës në Kosovë Krystyna Marty Lang.

Nzz: Kjo tingëllon sikur ka kuptim enorm politik ndërkohë që bëhet fjalë vetëm për një lojë futbolli. A mund ta sqaroni këtë?

Malaj:
Jo, nuk është fjala për ndonjë manifestim politik. Loja ka qenë një festë gëzimi. Por gjendja është ashtu që ekipet nacionale të shtetit tonë të ri janë vetëm pjesërisht të pranuara në arenën ndërkombëtare. Kombëtarja jonë nuk njihet nga Uefa, për këtë arsye ne nuk mund të marrim pjesë në kualifikimet për Kampionatin Botëror. Kjo gjë është padrejtë mirëpo nuk ka të bëjë me sportin por ka arsye politike.

Nzz: Pra po del se futbolli ka të bëjë me politikën – Përzgjedhja e futbollit i shërben Kosovës si mjet për pranim politik.

Malaj:
Jo, më lejoni ta sqaroj kontekstin politik: Federata kosovare e futbollit nuk është anëtare e Uefa-s dhe me këtë as e Fifa-s, pasi që Kosova nuk është anëtare e OKB-së. Dhe kjo ka arsye gjeopolitike. Por me sportin ose me ndeshjen e parë kjo nuk ka të bëjë.

NZZ: Megjithatë, Kryeministri Thaçi thuhet të ketë vizituar stërvitjen përmbyllëse dhe të ketë mbajtur (para lojtarëve) një fjalim në kabinë?

Malaj:
Është e vetëkuptueshme që ai ishte në ndeshje. Për ne ka rëndësi të madhe, ishte një ndeshje për shpresën, për besimin. Presidentja dhe kryeministri ynë i kanë përshëndetur lojtarët, ekipin nga Haiti dhe personalitetet e pranishme nga politika. Në tribuna ishin edhe përfaqësuesit e opozitës, të gjithë donin të ishin aty dhe të gjithë e kanë mbështetur ekipin tonë, pavarësisht nëse kishin dallime politike ose jo. Ishte një dëshmi se futbolli është futboll dhe jo politikë.

Nzz: Ndeshja u zhvillua në Mitrovicë, një qytet dikur multietnik në veri të Kosovës. Atje ka konflikte me pakicën serbe – a nuk ishte zgjedhja e vendit për tu luajtur ndeshja po ashtu një deklaratë në adresë të Serbisë se Kosova është një shtet i mëvetësishëm?

Malaj:
Së pari: Mitrovica është dhe mbetet një qytet multietnik. Romë, boshnjakë, turq, serbë kosovarë dhe njerëz të tjerë vazhdojnë të jetojnë atje. Është e vërtetë se ka probleme. Por unë këtu nuk dua t`i qasem aspektit politik. Arsyeja për zgjedhjen e vendit është e thjeshtë: Vetëm në Mitrovicë është një stadium që i plotëson kriteret. Ne kemi mungesë mjetesh, kemi përjetuar një luftë, nën Millosheviçin aktivitetet sportive ishin të ndaluara, edhe futbolli, njerëzit atje i zhvillonin kampionatet në mënyrë gjysmëlegale nëpër livadhe. Kjo nuk bën të harrohet. Prandaj, Mitrovica si vend loje është zgjedhur ekskluzivisht për shkak të infrastrukturës dhe në asnjë mënyrë nuk ka të bëjë me ndonjë sinjal politik ndaj Serbisë.

Nzz: Por ju nuk e kundërshtoni se kjo lojë e parë e kombëtares kosovare i ka ndihmuar shtetit tuaj të ri për më shumë prezencë në botë.

Malaj:
Jo, natyrisht që nuk e kundërshtoj. Por, këtu duhet të jemi të saktë. Nuk ekziston përfaqësuesja kombëtare në kuptimin zyrtar por vetëm përzgjedhja kosovare. Kompromisi në mes të Fifa-s dhe Federatës Serbe të Futbollit kishte paraparë që të mos ekzekutohet himni nacional dhe të mos ekspozohen flamujt kosovarë. Megjithatë (loja) për ne ka qenë shumë e rëndësishme. Në Zvicër është normale që ndeshjet t`i zhvillojë kombëtarja. Ne e kishim pritur gjashtë vjet  me padurim dhe pastaj ajo erdhi. Për këtë arsye (ndeshja) ishte historike dhe gëzimi ka qenë i madh.

Nzz: Cili është roli që luan futbolli në përditshmërinë e Kosovës?

Malaj:
Strukturat mbase nuk janë kaq të mira sikur në Zvicër, por natyrisht luhet futboll nëpër shkolla, në sheshe dhe në oborre. Edhe unë si fëmijë kam mbledhur foto për albumet e Paninit dhe më kujtohet mirë se sa krenarë ishin njerëzit kur KF Prishtina në vitet tetëdhjetë ishte ngjitur në ligën e parë ish jugosllave. Stadiumi ishte përplot në të gjitha ndeshjet, njerëzit vinin nga larg për ta shikuar dhe mbështetur klubin e tyre. Me këtë dua të them se futbolli në Kosovë ka një traditë të gjatë e të thellë e cila nuk ka filluar më 5 mars të këtij viti.

Nzz: A janë njerëzit në Kosovë veçanërisht të entuziazmuar nga futbolli për shkak të rrethanave të vështira, pasi që futbolli shërben si ventil?

Malaj:
Futbolli frymëzon njerëzit kudo. Futbolli është religjion, thuhet në Itali, Spanjë, Brazil etj. E mbaj mend kur, në vitin 1994 futbollistët e Zvicrës qenë kualifikuar për botërorin e mbajtur në SHBA dhe atje arritën deri në të tetën e finales. Ishte një ngjarje shumë pozitive, e gëzueshme. Njerëzit identifikoheshin me ekipin e tyre. Dhe kjo nuk është ndryshe as te kosovarët.

Nzz: Kosovarët identifikohen po ashtu edhe me Shaqirin, Xhakën ose Behramin, ndonëse këta luajë për Zvicrën. Më 5 mars në stadium ishte një pllakat ku shkruante: “Shaqiri, Xhaka – we need you”. Cfarë u ka shkuar në mend me atë rast?

Malaj:
Unë nuk e kam parë këtë pllakat, në një stadium nuk mund t`i shohësh kurrë të gjitha. Por për këtë pyetje marr guximin të përgjigjem edhe në emrin e Federatës së Futbollit të Kosovës: Ne kurrë nuk do të provojmë që t`i shtyjmë Shaqirin, Xhakën Behramin ose cilindo lojtar tjetër që të ndërrojë federatën. Këta tre lojtarë dhe shumë të tjerë kanë vendosur se për cilin vend duan të luajnë. Ky ka qenë vendimi i tyre, të cilin ne jo vetëm që e respektojmë, por edhe jemi krenarë kur Shaqiri, Xhaka e Behrami do të luajnë në Brazil për Zvicrën. Ata janë ambasadorë te jashtëzakonshëm. Për Zvicrën por edhe për Kosovën.

Nzz: Ambasadorë për çfarë?

Malaj:
Mesazhi i futbollistëve me prejardhje kosovare është mesazh për integrimin. Për njerëzit në Kosovë, ashtu si dhe për diasporën kosovare. Është një histori mbi dyzet vjeçare e marrëdhënieve të Kosovës me shtetet tjera evropiane por në veçanti me Zvicrën. Edhe kjo është arsye përse ne e kemi nderuar Shaqirin me çmimin “Diaspora 2012”, pasi që Shaqiri është një shembull i mrekullueshëm se çka mund të arrihet nëse ecet rrugës së integrimit.

Nzz: Megjithatë, duket se nuk është aq e thjeshtë kur për shembull Shaqiri detyrohet t`i përgjigjet pyetjes përse ai nuk luan për Shqipërinë ose për Kosovën por për Zvicrën. Përse është kaq e fortë lidhja me atdheun e prindërve?

Malaj:
Dyshtetësia është një normalitet sidomos në futboll. Ky normalitet nënkupton që, sikur në rastin e Shaqirit, i cili është rritur në Zvicër që nga viti i parë i lindjes por në shtëpi flet shqip dhe ka të afërm në Kosovë. Njerëzit e futbollit të Zvicrës e kanë hetuar talentin e Shaqirit, e kanë shkolluar atë dhe e kanë ndihmuar për ta bërë atë që ai është tash. Prandaj, ai luan sot për Zvicrën dhe ky është një vendim i tij profesional.
Futbollisti Lorik Cana, për shembull, nuk është sjellë kurrë para sfidës për një vendim të tillë. i është rritur në Lozanë, ka luajtur në Paris Saint Germain, Marseille, Lazio. Cana ka vendosur të luajë për kombëtaren e Shqipërisë pasi që kurrë edhe nuk ka pasur  kërkesë të ndonjë kombëtareje tjetër)drejtuar atij. Sikurse të gjitha ekipet nacionale, edhe zviceranët i duan për vete lojtarët më të mirë. Dhe, kur një lojtar me rrënjë kosovare depërton ne mesin e më të mirëve të Zvicrës, populli në Kosovë gëzohet. Shaqiri është një idhull, siç ka qenë Zidane ose Maradona.

Nzz: Ndeshjet e kualifikimit kundër Shqipërisë kanë qenë të vështira për Behramin, Shaqirin dhe Xhakën. Përse?

Malaj:
Të vështira? Ka mundësi. Unë kam qenë në ndeshjen në Lucern kundër Shqipërisë dhe ka pasur polemika të panevojshme. Por në stadium janë parë edhe flamuj ku mund të lexohej: “Zvicër-Kosovë”. Shairi qe angazhuar për ekipin e tij si gjithmonë dhe kur e shënoi golin e tij, ai festoi duke u kumtuar me respekt Shqipërisë dhe Kosovës: Shikoni, unë jap gjithçka për ekipin tim por edhe i respektoj rrënjët e mia”.Edhe Drmici ka vepruar njësoj kur ka shënuar kundër Kroacisë. Porosia me ketë rast është se njeriu mund të ketë identitet të dyfishtë ose dyshtetësi dhe mund t`i dojë të dyja vendet dhe në të njëjtën kohë të japë gjithçka për ekipin për të cilin luan.
Ambasadori Malaj thotë për NZZ se do të jetë i pranishëm në Botërorin e Brazilit. Do të ndjekë ndeshjen e dytë të grupit, ku Zvicra do të luajë kundër Francës, në Salvador
Fillimisht, vetëm ndeshje miqësore
Përzgjedhja e Republikës së Kosovës, duke filluar nga 5 marsi ka të drejtë të zhvillojë ndeshje miqësore, pasi që Federata serbe nën ndërmjetësimin e Fifa-s u tregua e gatshme për të bërë një kompromis, shkruan gazeta rreth zhvillimeve të reja që mundësuan ndërkombëtarizimin e pjesshëm të futbollit kosovar. Në këto kushte, përzgjedhja kosovare ka zhvilluar tri ndeshje. Për të kanë luajtur edhe Albert Bunjaku, ish lojtar i kombëtares zvicerane, Kristian Nushi që luan për St Gallenin etj.

Intervistoi: Stephan Ramming

Shih edhe në onlie:
http://www.nzz.ch/aktuell/sport/wm-2014/shaqiri-und-co-sind-herausragende-botschafter-1.18319275