Follow us on:

Në futboll, suksesi është më i dukshëm

Bernë, më 02.07.2014 - Gazeta “Tages Anzeiger”, ka botuar intervistën me titull "Në futboll, suksesi është më i dukshëm” me Ambasdadorin e Republikës së Kosovës në Zvicër dhe Lichtenshtein, z. Naim Malaj në të cilën, fillimisht, kjo gazetë thekson fjalët e Ambasadorit: “E gjithë Kosova dje ka qenë në ethe për kombëtaren zvicerane, thotë Ambasadori Naim Malaj, Shaqiri me shokë përfaqësojnë një gjeneratë ngadhënjyesish.”. Në vazhdim intervista e plotë:

-    Si e keni përjetuar lojën me Argjentinën?

-    E kam shikuar bashkë me familjen, fëmijët kishin veshur fanellat e Shaqirit dhe gjatë gjithë ndeshjes kanë pasur flamuj zviceranë në duar. Ka qenë, natyrisht, shumë emocionuese për të gjithë ne, madje dramatike, tragjike në fund. Kështu e ka futbolli. Por ne jemi krenarë me këtë ekip dhe me mentalitetin e tij.

-    Imazhi i shqiptarëve të Kosovës viteve dhe dekadave të fundit ka qenë i kontestueshëm. A përben ky kampionat një pikë kthese?

-    Është e pakontestueshme se brezi i dytë dhe i tretë i shqiptarëve të Kosovës në Zvicër është shumë i suksesshëm. Prej tyre kanë dalë profesorë, mjekë, ndërmarrës. Mirëpo suksesi i tyre nuk është askund kaq i dukshëm sikur në futboll, të cilin e ndjekin të gjithë: Fillimisht në Kampionatin Botëror të kategorisë U-17 në Nigeri (të cilin Zvicra e kishte fituar) dhe sërish tash, edhe më qartë.          

-    Ju përmendët mentalitetin e Nati-t (kombëtares zvicerane v.j.). A ka ndikuar mentaliteti i një Shaqiri ose një Behrami që skuadra të jetë “më kosovare” se sa numri i kosovarëve të veçantë brenda saj?

-    Deri atje mendoj se nuk shkon puna. Veçoritë individuale nuk mund të ndahen në mënyrë të tillë strikte. Një Shaqiri është kaq i fortë vetëm pasi që ka bashkuar në vete më të mirat nga dy mentalitetet: entuziazmin ballkanik të lojës dhe disiplinën zvicerane. Ai, duhet ta dini këtë, te kosovarët duket tepër zviceran (qeshet).   

-    Nga fillimi i këtij viti Kosova ka përfaqësuese e vet të futbollit, e cila ka të drejtë vetëm për lojëra miqësore. Në Kosovë qarkullojnë thashetheme se Sepp Blatter po e saboton (pranimin në Fifa) pasi që Shaqiri me shokë përndryshe do të luanin megjithatë për Kosovën.

-    Po, kam dëgjuar për këtë. Por kjo është e pakuptimtë. Pengesat që i bëhen kombëtares së Kosovës janë thjesht të motivuara politikisht dhe nuk kanë të bëjnë me konsideratat e futbollit. Pastaj, vendimi i lojtarëve si Shaqiri për të luajtur për Zvicrën, në Kosovë është pranuar në tërësi. E njëjta gjë vlen edhe për shqiptarët me prejardhje nga Maqedonia si Xhemaili dhe Mehmedi.

-    Atëherë, futbolldashësit zviceranë nuk u dashka më të kenë frikë se një ditë papritmas, “rreshti për paradë” (lojtarët më të mirë) do të emigrojnë në momentin kur Kosova të jetë pranuar në FIFA?

-    Jo, me siguri jo. Askush nuk dëshiron t`ia marrë Zvicrës lojtarët. Për më tepër, i gjithë vendi po identifikohet me të madhe me skuadrën.

-    I gjithë vendi?

-    Po. Një diplomat zviceran më ka treguar së fundi se si e kishte shikuar ndeshjen kundër Francës në një qytet të Kosovës. “Humbëm”, i kishin thënë njerëzit atij. Dhe ata vërtetë kanë qenë të zhgënjyer.

-    Zvicra është diskualifikuar. Si e mbështetni atë tash?

-    Vajza ime thotë që ne të mos bëjmë më tifo pro ndonjë ekipi por vetëm kundër Argjentinës (qeshet). Jo, unë do të anoj për holandezët dhe gjermanët. Më pëlqen mënyra si luajnë ata.

Shih edhe në Online:
http://www.tagesanzeiger.ch/kultur/diverses/Im-Fussball-ist-ihr-Erfolg-besonders-sichtbar/story/24232923