Follow us on:

Intervistë e ambasadorit Naim Malaj në gazetën zvicerane “Le Temps”

Bernë, 11 mars 2015 - Gazeta e përditshme zvicerane “Le Temps”, ka botuar një intervistë me ambasadorin Naim Malaj në rubrikën e saj “MIGRIMI” me titull"Jo. Nuk ka fluks të kosovarëve në Zvicër".

Kjo e përditshme fillimisht thekson se “Kosova përballet me një eksod të jashtëzakonshëm pasi që nga janari i këtij viti, rreth 30.000 kosovarë janë dyndur në Gjermani, ndërsa në vitin 2014 ishin vetëm 7.000 kosovarë. Tash janë tejmbushur qendrat e azilit me kërkues azili. Vetëm në janar, në këtë shtet kanë kërkuar azil 3.630 persona një mesatare prej 744 në të njëjtin muaj të vitit të kaluar”.  “Le Temps”, shkruan se landet që më së shumti kanë pasur kërkesa për azil si Bavaria, Baden-Württemberg, Saksonia e Ulët, North Rhine-Westphalia,  kanë vendosur që kërkesat të trajtohen me procedurë të përshpejtuar. Në vitin 2014, nga 100 kërkesat, vetëm një është pranuar, ndërsa në janar 0.3%. 

Por ambasadori Malaj në intervistën për “Le Temps”, shpjegon se përse Zvicra nuk është prekur nga kjo dukuri migrimi.
 
“Le Temps”: A është vërejtur një fluks në rritje në Zvicër? Gati 100.000 kosovarë kanë lënë vendin që nga dhjetori.

Naim Malaj:
Jo. Nuk ka fluks të kosovarëve në Zvicër. Numrat janë shumë të ulët. Ka pasur 112 aplikacione për azil nga Kosova në muajin janar, 30 në muajin shkurt. Kosovarët e dinë se Zvicra, tashmë qe dy-tri vjet, e konsideron Kosovën si një "vend të sigurt", kështu që ata nuk vijnë sepse shanset e tyre për marrjen e azilit janë minimale.

Në atë kohë, kam pasur një diskutim me Mario Gattiker, kreun i Zyrës Federale për Migracion (tani Sekretari i Shtetit për Migrim, shënimi i red.). Unë e kam mbështetur vendimin e autoriteteve zvicerane për të konsideruar Kosovën si një "vend të sigurt". Ka pesëmbëdhjetë vjet, që Zvicra është treguar shumë bujare dhe mikpritëse kur ka qenë e nevojshme. Por sot nuk ka persekutim politik: ata që e lëshojnë vendin e bëjnë këtë për arsye ekonomike, që më vjen shumë keq.

“Le Temps”: Por si e shpjegoni ju këtë eksod të papritur në Gjermani?

Naim Malaj:
Ky rezulton kryesisht nga një rrjet trafikantësh kosovarë dhe serbë, duke i nxjerrë ata jashtë nëpër Serbi e Hungari. Ky është një biznes fitimprurës: këta trafikantë i kanë nxitur kosovarët të largohen nga vendi dhe i kanë bërë ata të paguajnë 400 deri në 2000 euro. Nga fundi i vitit të kaluar, ata kanë bërë propagandë përmes thashethemeve, që të shkojnë në Gjermani, sepse ajo është më bujare për dhënien e azilit. Gjë që nuk është e vërtetë. Kosovarët arritën atje të zhgënjyer. Disa janë kthyer me avion, të tjerët po kthehen vetë, sepse ata janë të vetëdijshëm se nuk mund të gjejnë vendin e punës që e kanë shpresuar. Kontrabandistët i kanë gënjyer. Ju mund të imagjinoni se nëse kosovarët kishin arsye të vërtetë që të largohen nga vendi, ata do ta synonin sidomos Zvicrën, e cila ka një diasporë të madhe. Kjo situatë është e trishtuar.

“Le Temps”: Mos po bëni një lojë fjalësh? Ju flisni për njerëzit që aplikojnë për azil. Por sipas agjencisë së lajmeve shqiptare Presheva Jonë, me qendër në Gjenevë, nga Kosova në Zvicër kanë ardhur ilegalisht 7000-8000 veta, shumica shqiptarë nga Kosova, duke mos u paraqitur për aplikim në qendrat e azilit. Ju, a i demantoni zyrtarisht këto shifra?

Naim Malaj:
Po e demantoj. Kjo nuk është serioze. As autoritetet zvicerane nuk kanë konstatuar një fluks të tillë. Nëse njerëzit kanë ardhur në mënyrë të paligjshme dhe rrinë ilegalisht, ju do ta vinit re patjetër praninë e tyre në rrugë, sidomos kur përmendet një shifër e tillë kaq e lartë! Kjo është absurde.

http://www.letemps.ch