Follow us on:

Vizitë zyrtare e Zëvendëskryeministrit të Parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, në Principatën e Lihtenshtajnit

Vaduz, 21 Qershor 2018 – Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, dhe delegacioni i tij, ka zhvilluar takim dypalësh me Auerila Frick, Ministren për Punë të Jashtme, Drejtësi dhe Kulturë të Principatës së Lihtenshtajnit. Ministri Pacolli dhe delegacionin e tij, e ka shoqëruar ambasadorja Nazane Breca.

Gjatë takimit zyrtar është biseduar për thellimin e marrëdhënieve Kosovë-Lihtenshtajnë, për liberalizimin e vizave, për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare, për avancimin e Agjendës Evropiane si dhe për dialogun me Serbinë, tema këto kryesore të cilat e kanë dominuar takimin në mes të udhëheqësve të diplomacive nga të dyja shtetet.


Pacolli, ka falënderuar Principatën e Lihtenshtajnit për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur ndaj shtetit të Kosovës; duke shprehur vullnetin dhe gatishmërinë e Institucioneve të vendit për të thelluar e zgjeruar edhe më shumë bashkëpunimin dhe partneritetin institucional në mes dy vendeve.


Në këtë takim mes dy shteteve, u fol dhe u theksua për nevojën që, nëpërmjet inicimit dhe nënshkrimit të Marrëveshjeve të reja mes Kosovës dhe Lihtenshatjnit, do të hapnin mundësi të reja të niveleve të ndryshme bashkëpunimesh ndërshtetëror.


Ministri i Jashtëm, Pacolli, gjithashtu ka kërkuar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në organizata evropiane dhe ndërkombëtare si dhe kontributin e mundshëm të Principatës së Lihtenshtajnit, lidhur me liberalizimin e vizave, edhepse ky vend nuk është anëtar i Bashkëkimit Evropian, por vetëm i Zonës Schengen.


Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm, Pacolli, Auerila Frick, Ministren për Punë të Jashtme, Drejtësi dhe Kulturë të Principatës së Lihtenshtajnit, e ka ftuar për një vizitë në Republikën e Kosovës, e cila mund të realizohet në këtë vit.