Follow us on:

NËN PATRONATIN E AMBASADËS NË BERNË, U HAP EKSPOZITA ME VEPRA TË ZGJEDHURA TË IBRAHIM KODRËS

Melide-Lugano, më 15 dhjetor 2018 - Në Qendrën e Arteve Ibrahim Kodra në Melide, për nder të 100-vjetorit të lindjes së piktorit tonë të famshëm me renome ndërkombëtare, Ibrahim Kodrës, u hap eskpozita me vepra të zgjedhura 1928-2018. Ekspozita është hapur me organizimin e „Swiss Foundation Ibrahim Kodra“, nën patronatin e Ambasadës të Republikës së Kosovës në Bernë dhe të Komunës së Melides (TI), si dhe me bashkëpunim me Komunën Campione të Italisë e të Fondacionit Kodra në Shqipëri.

Në hapjen e ekspozitës morën pjesë personalitete të jetës kulturore, politikanë, diplomatë, dashamirë të artit, adhurues të veprës së Kodrës dhe njohës të specializuar të veprës së tij. Ekspozitën e ka shpallur të hapur drejtroresha e Qendrës së Arteve Ibrahim Kodra, në Melide, Maria Pacolli, e cila ka përshëndetur të pranishmit dhe mediat që kishin shprehur interesim të madh për këtë ngjarje.

Ambasadorja Nazane Breca, e shoqëruar nga Mustafë Xhemaili, Ministri Këshilltar, ka marrë pjesë dhe ka përshëndetur të pranishmit duke e mbajtur një fjalë për figurën e lartë artistike të Kodrës dhe lidhjen e tij të fuqishme me Kosovën. Me këtë rast ambasadorja dha disa intervista për mediat elektronike dhe të shkruara. Për vlerën e lartë artistike të veprave të Kodrës, ka folur historianja e artit nga Akademia e Arteve të Bukura në Brera - Milano, Elena Pontiggia; për ekspozitat dhe shtrirjen e artit të Ibrahim Kodrës ka folur kuratori nga Italia, Stefano Mazzatorta.

FJALA E AMBASADORES NAZANE BRECA NË HAPJEN E EKSPOZITËS

«Sot kam nderin e madh të gjendem para jush në një manifestim artistik të rëndësishëm. 100-vjetori i lindjes së Ibrahim Kodrës, është një përvjetor i madh i kulturës dhe artit. Dhe ne sot e përkujtojmë me këtë ekspozitë të pikturave të artistit tonë të famshëm, të cilit e gjithë bota i ka thënë dhe i thotë: Maestro Kodra.

Veprat e piktorit tonë me renome ndërkombëtare Ibrahim Kodrës, sot gjenden kudo në botë. Gjenden në Muzeun e Vatikanit, në Kuvendin e Romës, në Galeri dhe në muze të njohura të botës, si në Itali, Zvicër, Danimarkë, Gjermani, Japoni, Angli, France, Amerikë, Rusi, Ukraine, Australi, Brazil, Argjentinë, Greqi, Iran, Shqipëri, Kosovë e shtete tjera. Shumë punime të tij sot janë pronë e koleksionistëve në mbarë botën. Vepra e tij është bërë pasuri botërore, metë cilën mrekullohemi nga ylberi i ngjyrave të vendlindjes, dhe shpërfaqjen e shpirti shqiptar në kubizmin e Ibrahim Kodrës, përfaqësues i fundit i këtij arti. “Edhe nënshkrimi juaj nuk është nënshkrim, por vepër artistike”, i thoshte Ibrahim Kodrës, piktori Pablo Picaso.

Ibrahim Kodra ishte i lidhur fuqishëm edhe me Kosovën. Ai që në vitin 1968, hapi ekspozitën e tij të parë në Prishtinë. Në librin e tij “Kujtime”, mes tjerash thotë: “Më 1968 çela një ekspozitë në Prishtinë, në Kosovë. Për mua ish një ngjarje e paharruar – ish kthimi im në Atdhe, po shprehem në mënyrë letrare – sepse gjer më atëherë nuk kisha pasur lidhje kulturore me shqiptarët e Ballkanit në përgjithësi, dhe në veçanti me ata që jetonin në ish-Jugosllavi. (...). Ymer Shkreli në fletet e gazetës “ Rilindja” të datës 8 gusht të vitit 1968 do të shkruante: “Megjithëse ekspozita e Ibrahim Kodrës u çel gjatë sezonit të verës, mundi të tërhiqte një numër të madh admiruesish të arteve figurative të Kosovës. Ekspozitën e vizituan 13.000 vetë.

Një numër kaq i madh shikuesish nuk është parë në asnjë shfaqje tjetër në Prishtinë”. Ekspozita u çel në hollin e Teatrit Popullor. Historia e shqiptarëve të ish-Jugosllavisë – rreth dy milionë – mund të ketë vetëm një titull: “luftë për çlirim dhe për njohjen e krenarisë se tyre kombëtare”, shkruante Maestro Kodra.
Gjatë viteve 90-ta të shekullit të kaluar, Maestro Kodra, do të pikturoj vepra të shumta e, në mesin e tyre, edhe tri kryevepra: “Lidhja e Prizrenit – KOSOVA”, "Paqe në Kosovë" dhe “Shqipëria fantastike”.

Kosova së shpejti do të themeloj Muzeun “Ibrahim Kodra”, ku do të eskpozohen një numër i madh i veprave të këtij gjeniu. Komuna e Prishtinës ka nënshkruar Memorandum të Mirëkuptimit me “Swiss Fondacion Ibrahim Kodra”, me qëllim të themelimit, zhvillimit dhe promovimit të muzeut të artistit Ibrahim Kodra. “Swiss Fondacion Ibrahim Kodra” do t’i ofrojë për shfrytëzim pikturat origjinale të autorit, si dhe do të krijojë program edukativ për artin figurativ për fëmijët dhe të rinjtë në kuadër të muzeut.

Ambasada e Republikës së Kosovës, ka një bashkëpunim të ngushtë me “Swiss Fondacion Ibrahim Kodra” dhe Qendrën e Arteve në Melide, që udhëhiqet me sukses nga drejtoresha Maria Pacolli, dhe si rezultat i këtij bashkëpunimi, edhe me Komunën e Melides, është bërë hapja e kësaj ekspozite me vepra të Maestro Kodrës.

Urime 100-vjetori i lindjes Maestro Kodra!»