Follow us on:

Njoftim për votuesit jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale të 22 tetorit 2017

Të nderuar bashkatdhetarë, Ju njoftojmë se Periudha e Votimit për votuesit që suksesshëm kanë aplikuar për tu regjistruar në listën e votuesve jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale të 22 tetorit 2017 përfundon me datën 20 tetor 2017.

Përgjatë kësaj periudhe, votuesit do të kenë mundësi që të votojnë duke dërguar pakon me fletëvotime përmes postës, në adresën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Republika e Kosovës, Votimi përmes postës

Posta nr. 6, KUTIA 351, 10 000 Prishtinë, Republika e Kosovës.

Pakoja me fletëvotim duhet të pranohet nga KQZ-ja, më së largu deri me datën 20 Tetor 2017.

 

Bazuar në Rregullën Zgjedhore Nr. 03/ 2017 Votim jashtë Kosovës, votuesi me zotësi juridike i cili është i regjistruar me sukës si votues jashtë Kosovës mund ta marrë fletëvotimin nga burime të ndryshme, siç janë: duke pranuar fletëvotimit në adresën ekzistuese jashtë Kosovës të cilën ajo ose ai e jep për këtë qëllim, duke marrë fletëvotimin nga njëra nga pikat shpërndarëse jashtë Kosovës, që janë përcaktuar dhe publikuar nga KQZ-ja, duke bërë fotokopje fletëvotimet që ekzistojnë në pikat shpërndarëse dhe të shkarkojë fletëvotimin nga ueb faqja e KQZ-së në internet. 

 

Më poshtë janë paraqitur linqet nga ku mund të shkarkohen këto materiale:

1.       Fletëvotimet për kryetar të komunave në Republikën e Kosovës (kliko në linkun:http://www.kqz-ks.org/sq/fletevotimet-dhe-broshurat-e-kandidateve ). 

 

2.       Fletëvotimet për asamble komunale për komunat e Republikës së Kosovës (kliko në linkun:http://www.kqz-ks.org/sq/fletevotimet-dhe-broshurat-e-kandidateve).

 

3.       Broshurat e kandidatëve (kliko në linkun:http://www.kqz-ks.org/sq/fletevotimet-dhe-broshurat-e-kandidateve). 

Udhëzimet për Votim përmes postës

 

Si të votohet:

 

Në fletëvotimin për Kryetar Komune, ku janë të renditur emrat e kandidatëve, ju duhet të shënjoni vetëm një kandidat. 

 

Në fletëvotimin për Kuvend Komunal, në anën e majtë të tij, ju duhet të shënjoni vetëm një subjekt politik, kurse në anën e djathtë të fletëvotimit duhet të shënjoni vetëm një kandidat. 

 

Në ueb faqen e KQZ-së www.kqz-ks.org mund t’i gjeni fletëvotimet për Kryetar Komune dhe Kuvende Komunale, si dhe broshurën me emrat e kandidatëve për secilin Subjekt Politik.

            

 

Kthimi i pakos së fletëvotimit:

 

• Fletëvotimet e plotësuara vendosni në zarfin e fshehtësisë të pranuar përmes postës ose një zarfe tjetër të pa shënuar dhe mbylleni  Kjo do të ruaj fshehtësinë e votës tuaj.

• Zarfi i fshehtësisë i mbyllur dhe kopja e një dokumenti identifikues të vlefshëm vendosen në zarfin e kthimit me adresë të shtypur të KQZ-së.

• Secili person duhet të dërgojë zarfin kthyes të tij/saj duke i përfshirë artikujt më lartë.

• Vëni vula postare të mjaftueshme dhe dërgojeni me postë tek ne.

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Republika e Kosovës, Votimi Përmes Postës, Posta nr. 6, KUTIA 351, 10 000 Prishtinë, Kosovë. 

 

Fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja më së largu deri më 20 tetor 2017.