Follow us on:

Polonia nis një kontingjent të ndihmave për luftimin e Coronavirusit në Ballkan

Varshavë, maj 2020 – Republika e Polonisë ka ndarë një kontingjent me ndihma për vendet e Ballkanit Perëndimor për të luftuar pandeminë COVID-19. Në praninë e gjashtë ambasadorëve të vendeve të Ballkanit, Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Bosnjë e Hercegovinës dhe Serbisë, Sekretari i Shtetit, njëherësh koordinator nacional për Procesin e Berlinit, z. Szymon Szynkoëski vel Sek, e ka vlerësuan këtë ndihmë solidariteti si një vazhdimësi të angazhimit polak në Ballkanin Perëndimor.

Duke e falënderuar popullin dhe institucionet e Republikës së Polonisë për shtrirjen e dorës së ndihmës në çdo periudhë të vështirë për të gjithë, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Pragë, z. Arbër Vllahiu, ka theksuar rëndësinë që kjo mbështetje ka për Kosovën.

“Në këtë betejë të vështirë jemi bashkë. Sot ju na bëtë me dije se miqësia ndërtohet me mirëbesim dhe partneriteti me përkushtim. Polonia sot sërish u rreshtua me Ballkanin Perëndimor, në solidaritet, për ta parandaluar përhapjen e virusit, në një periudhë kur edhe vet përballet me te njëjtën sfidë. Dhe këtë e bëni me të njëjtin përkushtim siç i qëndroi pranë rajonit në rrugën e tij të rimëkëmbjes, të tejkalimit të dallimeve dhe përafrimit me vlerat evropiane. Rruga që këta djem të brigadës së zjarrfikësve polakë do ta bëjnë drejt vendeve tona në Ballkan do të jetë lidhja e fortë mes nesh”, tha Ambasadori Vllahiu.

Gjatë ceremonisë së organizuar në Varshavë, në njërën nga qendrat e zjarrfikësve prej nga u nis kolona e kamionëve me ndihmat për vendet e Ballkanit Perëndimor, Ambasadori Vllahiu ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe të institucioneve të Kosovës edhe për ndihmën që Presidenti i Polonisë, z.Andrej Duda, ka ndarë për Kosovën në luftën kundër përhapjes se COVID-19.