Follow us on:

Zemaj dhe Dakaj vizitë pune në qytetin e Werneckut, në Landin e Bavarisë

Werneck, 8 shtator 2014 - Me ftesë të strukturave udhëheqëse të Partisë së Unionit Kristian-Social, një delegacion i kryesuar nga drejtuesi i Konsullatës në Frankfurt, Astrit Zemaj i shoqëruar nga konsulli Kadri Dakaj, nga Konsullata ne Shtutgart, ka zhvilluar një vizitë pune në qytetin e Werneck-ut, në Landin e Bavarisë.

Diplomatët kosovarë janë pritur nga deputetja e Bundestagut znj.Weisgerber si dhe,  z.Hans Kemmer, kryetar i kryesisë së CSU-së në Regjionin e Frankfonisë së Poshtme, z.Martin Schlör, përgjegjës për kabinetin e deputetes Weisgerber, z.Hans-Jurgen Runge, nënkryetar i kryesisë së shoqatës “Werke statt Worte e V”, shoqatë e cila për vite me radhë ka qenë e angazhuar me projekte të ndryshme në Kosovë për të ndihmuar dhe përkrahur në forma të ndryshme Kosovën dhe popullin e saj.

Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës si dhe të ambasadorit Xhakaliu, këshilltari Zemaj, ka falënderuar deputeten  Weisgerber për angazhimin e saj në raport me Republikën e Kosovës në Bundestag dhe për angazhimin e saj si pjesëtare shumëvjeçare në Parlamentin Evropian.

Veçanërisht ai ka folur për kontributin e shtetit gjerman për përkrahje të vazhdueshme për shtetin dhe popullin e Kosovës. Po ashtu një falënderim të veçantë edhe për forcat gjermane të Bundeswehrit të cilat janë të angazhuara si pjesë përbërëse e KFOR-it në Kosovë si dhe për mbështetjen e drejtpërdrejtë edhe të Partisë së Unionit Kristian-Social, e cila është qeverisëse tradicionale e Landit të Bavarisë.

Temat kryesore të biseduara në këtë takim po ashtu kanë qenë çështjet të cilat kanë të bëjnë me qytetarët e Kosovës të cilët jetojnë në Landin e Bavarisë dhe procesi i integrimeve dhe bashkëpunimit me autoritetet vendore gjermane.

Përpos tjerash është biseduar edhe për mundësinë e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë në rrafshin e qeverisjes lokale dhe partneritetit në mes të qyteteve kosovare dhe atyre gjermane në Landin e Bavarisë, siç janë  fushat ekonomike, arsimit dhe kulturës.

Deputetja Anja Weisgerber së bashku me pjesëtarët tjerë të palës gjermane kanë vlerësuar lartë bashkëpunimin dhe rëndësinë e partneritetit në mes të popujve dhe vendeve tona si dhe kanë premtuar përkrahje të drejtpërdrejtë jo vetëm në temat e biseduara por edhe në fusha tjera sidomos duke pasur parasysh potencialin e Gjermanisë dhe veçanërisht të Landit të Bavarisë.

Në margjinat e kësaj vizite, përpos diplomatëve kosovarë, gjatë drekës së përbashkët dhe me ftesë të autoriteteve gjermane të qytetit Werneck, merrnin pjesë edhe përfaqësues të mërgatës tonë në rajon si dhe përfaqësues të fushave të ekonomisë dhe biznesit me prejardhje nga Kosova.