Follow us on:

Konsulli Zemaj u takua me kampionin e botës Shkodran Mustafi

Hessen, 17 korrik 2014 - Ngjarja më e rëndësishme sportive e vitit 2014, jo vetëm në Gjermani, por edhe në gjithë botën, mbetet Kampionati Botëror i Futbollit, Brazili 2014.

Për dallim nga shtetet e tjera pjesëmarrëse, fitorja meritore e ekipit kombëtar gjerman vazhdon të jetë aktuale jo vetëm në rrafshin sportiv, por edhe atë politik dhe shoqëror.

Pjesëtarët e ekipit fitues të Gjermanisë, pas kthimit nga Brazili  janë pritur si heronj të vërtetë në kryeqytetin gjerman në Berlin dhe kjo po vazhdon edhe në pjesë tjera të vendit. Në ketë kontekst, edhe autoritetet më të larta shtetërore të Landit të Hessenit me datë 16.07.2014, kanë organizuar një pritje madhështore për të festuar fitoren e merituar të kombëtares së tyre.

Nën patronatin e kryetarit të Parlamentit të Hessenit, Norbert Kartmann si dhe kryeministrit të Landit, Volker Bouffier, me moton “Mbrëmja e sportit 2014” , i cili kishte edhe karakter humanitar, është mbajtur në ambientet e Parlamentit Shtetëror në Wiesbaden. Përpos figurave eminente sportive ndër vite dhe, me pjesëmarrje nga lëmi të ndryshme si storje të suksesit, i ftuar special ishte edhe njeri nga kampionët e ri botëror të kombëtares gjermane, futbollisti me prejardhje shqiptare nga Tetova, Shkodran Mustafi, vendlindja e të cilit është Landi i Hessenit.

Kryeministri Bouffier në fjalën e tij përshëndetëse në veçanti është ndalur në personalitetin e “Heroit të Hessenit”, Shkodran Mustafi, të cilin e ka vlerësuar me fjalët më të mira për suksesin e shpejtë në karrierë dhe për suksesin e përbashkët të kombëtares gjermane, e cila bëri të mundshme rimarrjen e titullit të kampionit botëror në futboll pas 24 viteve. Po ashtu, me ftesë të organizatorëve, kryetarit të parlamentit dhe kryeministrit në ketë organizim festiv ishte edhe konsulli i Republikës së Kosovës në Frankfurt, Astrit Zemaj, i cili në emër të institucioneve i ka uruar nikoqirët për fitoren si dhe i ka falënderuar ata për mbështetjen e vazhdueshme.

Në veçanti mbresëlënës ishte takimi me futbollistin me prejardhje shqiptare, Shkodran Mustafi, të cilin e ka përgëzuar për suksesin e arritur. Në margjinat e këtij takimi është biseduar që gjatë muajve në vijim mundësisht të organizohet një mbrëmje edhe me sportistët e shumtë nga Kosova dhe trevat shqiptare të cilët jetojnë në Gjermani. Shkodran Mustafi, i cili përpos stafit menaxherial, në ketë mbrëmje shoqërohej edhe nga i ati i tij. Në gjuhën shqipe, Shkodrani, ka falënderuar konsullin Zemaj për pjesëmarrje dhe ka theksuar se është ndier krenar kur ka kuptuar se edhe përfaqësuesit e institucioneve tona do të jenë pjesëmarrës në pritjen speciale të organizuar për atë nga ana e autoriteteve shtetërore të Landit të Hessenit.