Follow us on:

Përfundoi turniri tradicional i Kupës së Futbollit Kosovar në Gjermani

Frankfurt, 1 korrik 2014 - Nën organizimin e Federatës së Futbollit Shqiptar në Gjermani dhe me mbështetje edhe të Ministrisë së Diasporës dhe të Konsullatës së Republikës në Frankfurt, në fundjavën që shkoi, përfundoi me sukses turniri tradicional për "Kupën e Republikës së Kosovës për Gjermani për vitin 2014".

Konsullata e Republikës së Kosovës në Frankfurt për të pestën herë radhazi është pjesëmarrëse dhe mbështetë ketë organizim, i cili konsiderohet si një ndër aktivitetet më të suksesshme të mërgatës tonë në Gjermani, rreth të cilit janë të tubuara dhjetëra ekipe pjesëmarrëse në liga të ndryshme lokale nga i gjithë territori i Gjermanisë.
 
Turniri tradicional i këtij  viti, i  mbajtur në Offenbach afër Frankfurtit, është treguesi më i mirë i suksesit të vetë bashkatdhetarëve, të cilët në bashkëpunim të ngushtë me institucionet brenda dhe jashtë Kosovës, janë shndërruar në ambasadorë të mirë te vendit tonë, jo vetëm në Gjermani por edhe në gjithë diasporën.

Pas dy ditë aktivitetesh të ndryshme, nga gjithsej 14 ekipe garuese, në lojën finale në mes të FC Kosova nga Munihu dhe asaj  FC Kosova nga Hamburgu, turniri Tradicional "Kupa e Republikës së Kosovës për Gjermani për vitin 2014" u përmbyll me fitoren meritore, e cila i takoi ekipit nga Munihu, me rezultat 2:1.

Në ketë  turnir ketë vit mori pjesë edhe Ministri i Diasporës së Republikës së Kosovës, Ibrahim  Makolli i cili së bashku më Konsullin Astrit Zemaj dhe zv.konsullin  Besnik Miftaraj gjatë dy ditëve të këtij turniri përcollën nga afër të gjitha aktivitetet dhe për ekipet dhe lojtarët më meritorë ndanë edhe shpërblimet.

Federata e Futbollit Shqiptar në Gjermani ka falënderuar Konsullin Zemaj për mbështetjen e tij të vazhdueshme për Federatën Shqiptare të Futbollit në Gjermani , gjatë pesë viteve të fundit të themelimit të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Frankfurt.