Follow us on:

Zemaj në ceremoninë për nder të pensionimit të Gjeneral Majorit Erhard Drews

13 nëntor 2014 - Me ftesë të Komandantit të Forcave të Armatosura gjermane në kuadër të Korparmatës Multinacionale njëkohësisht edhe Komandant i Akademisë së Bundewswehr-it për Organizimin Bazik të Ushtrisë, me seli në Këln, Gjeneral lejtnat Rainer Korff, drejtuesi i Konsullatës në Frankfurt, Ksh. Astrit Zemaj në cilësinë e të ftuarit të nderit, ka marrë pjesë në paradën ushtarake si dhe ceremoninë pasuese për nder të pensionimit të Komandantit të Sektorit për Zhvillimin e Ushtrisë Gjeneral Majorit Erhard Drews dhe kalimit të komandës tek Gjeneral Majori Wolfgang Köpke.

I pritur me nderime ushtarake dhe  një  tretman  të rëndësishëm ceremonial, përfaqësuesi i institucioneve të Kosovës ka zënë vend në mesin e ushtarakëve të lartë gjermanë dhe atyre të  forcave aleate të përfaqësuara në ketë ceremoni.
 
Në fjalën e tij përshëndetëse, para qindra ushtarëve dhe oficereve gjerman si dhe mysafirëve të ftuar nga forcat Aleate, Gjeneral Majori, Erhard Drews, kur është ndalur tek përshëndetja e përfaqësuesit të Republikës së Kosovës, ka veçuar se në kuadër të shërbimit 44 vjeçar,  e paharruar mbetet mandati i tij në krye të forcave të NATO-s në cilësinë e Komandantit të KFOR-it në Kosovë dhe ka folur me pietet për progresin e vendit tonë dhe respektin e tij të madh për vendin dhe popullin e Kosovës. Po ashtu edhe në pjesën e fundit në takimin ceremonial, në fjalimin e tij para ushtarakëve dhe ish drejtuesve të lartë të Forcave Gjermane, gjenerali Drews, ka ripotencuar se angazhimi i Trupave Gjermane në vendin tonë ka qenë dhe mbetet agjendë e rëndësishme e Bundewswhrit dhe e shtetit gjerman, për të siguruar paqen dhe sigurinë si dhe për të qenë partner në forcimin e shtetit të Kosovës dhe avancimit në rrafshin ndërkombëtarë.

Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të Shërbimit Diplomatik në Gjermani, Zemaj nga ana e tij, e ka falënderuar Gjen. Majorin Drews, për kontributin e tij personal, të shtetit dhe popullit gjerman për përkrahje të vazhdueshme për lirinë e vendit si dhe mbështetjen e vazhdueshme për shtetin dhe mirëqenien e popullit të Kosovës. “Një mirënjohje të veçantë për forcat gjermane në terren, të cilat janë të angazhuara si pjesë përbërëse e KFOR-it në Kosovë dhe të cilat e gëzojnë një prestigj të pazëvendësueshëm tek populli i Kosovës”.

Duhet theksuar së në ketë ceremoni pritëse dhe takimin e veçantë pasues më ksh. Zemaj, kanë marrë pjesë dhjetëra oficerë të lartë, drejtues të institucioneve dhe reparteve ushtarake si dhe drejtues të njësive profesionale operative të cilët kanë kontribuar për lirinë e Kosovës, gjatë intervenimit të NATO-s, por edhe të atillë që kanë shërbyer në kuadër të KFOR-it, në periudha të ndryshme në vendin tonë.