Follow us on:

Në Sundern të Gjermanisë zbulohet pllaka me thënien e famshme të Nënës Terezë

Sundern, 22 nëntor 2014 - Pranë shtatores së Nënës Terezë e cila në Sundern të Gjermanisë u ngrit në nëntor të vitit 2011, të shtunën u zbulua pllaka e cila përmban thënien e famshme të Nënës Terezë: “Për nga lindja jam shqiptare, për nga shtetësia indiane, përmes misionit tim i takoj gjithë botës, por zemra ime i takon Jezu Krishtit".

Shtatorja e Nënës Terezë është vendosur në qendrën e sheshit të Sundernit pranë Kishës St.Johannes Kirche (Kisha e Shën Gjonit).

Në zbulimin e pllakës ishte i pranishëm edhe Kryebashkiaku Detlef Lins i cili ndër të tjera tha: “Shqiptarët janë me shumicë myslimanë, por po aq krenarë sa dhe të krishterët për bijën e kombit të tyre dhe për atë që ajo ka arritur. Misionarja Nënë Tereza e kishte përshkruar veten kështu: “Për nga lindja jam shqiptare, për nga shtetësia indiane, përmes misionit tim i takoj gjithë botës, por zemra ime i takon Jezu Krishtit “. Por, me gjithë këto, ka ende njerëz që nuk e njohin këtë grua që ndërroi jetë më 1997 dhe pyesin përse qëndron aty kjo shtatore e gruas që buzëqesh. Për këtë arsye vendosja e kësaj pllake ka rëndësi të veçantë jo vetëm për komunitetin shqiptarë këtu por edhe për qytetarët e Sundernit dhe të gjithë që e vizitojnë këtë qytet”.
  
Dhe kjo ishte ndoshta edhe arsyeja  që të shtunën e kaluar, në kuadër të një solemniteti të vogël para shtatores së bronztë u vendos një pllakë e vogël. Në të janë të shkruara fjalët që Nëna Terezë i tha në Oslo lidhur me prejardhjen e saj, emri i dhuruesit “Familja Fadil Bytyqi, Sundern, Republika e Kosovës dhe Shoqata e Shqiptarëve, Sundern “. Fadil Bytyqi me këtë rast theksoi edhe një herë rëndësinë e Nënë Terezës për atdheun e saj. Ai po ashtu falënderoi Kryetarin e Sundernit për përkrahjen që ju ofron shqiptarëve në çdo iniciativë të tyre por dhe për vizitën të cilën vitin e kaluar e kishin zhvilluar në Kosovë.

Prifti Michael Schmitt falënderoi edhe një herë përzemërsisht për dhuratën. “Ajo erdhi në kohën kur në Gjermani po zhvillohej debati për NSU-në (lëvizje e ekstremit të djathtë). Sunderni dërgoi një sinjal tjetër në botë, atë se integrimi po funksionon”. Po ashtu Prifti Schmitt nuk hezitoi të përmend Katedralen Nëna Terezë në Prishtinë e cila, sipas tij, lë mbrapa shumë institucione fetare në Gjermani.

Fatmire Musliu, Konsulle e Republikës e Kosovës në Frankfurt kishte ardhur për të falënderuar qytetin e Sundernit dhe bashkatdhetarët e saj për bashkëpunimin. Ndër të tjera ajo në fjalën e saj tha: “Është nderë për mua të jem sot këtu për të nderuar Nënën Terezë, një grua e cila si askush tjetër arriti të përçoi në gjithë botën dy vetitë më të larta shpirtërore të kombit tim: humanizmin dhe tolerancën. Ajo na bëri nderin më të madh. Citati i saj i gdhendur në këtë pllakë një ditë do të shndërrohet edhe në motiv për gjeneratat tona të cilat po rriten këtu në Gjermani. Ata një ditë do të thonë: Nga gjaku jemi shqiptarë, kemi nënshtetësi gjermane por për nga botëkuptimet jemi evropianë. Në këtë drejtim është fokusuar edhe angazhimi ynë, që gjenerata jonë tashmë e tretë të arrij një integrim të mirëfilltë, gjë të cilën po e arrin çdo ditë e më mirë. Ne asnjëherë nuk do të harrojmë mbështetjen e shtetit dhe të popullit gjerman në kohët më të vështira për ne. Ne ju jemi përjetë mirënjohës, por dua me këtë rast të falënderoj edhe bashkatdhetarët e mi të cilët këtë mbështetje e kanë ngritur në një nivel tjetër, në atë të miqësisë dhe partneritetit“.

Më pas aktiviteti u zhvendos në lokalet e Shoqatës “2 Korriku” ku u bisedua me bashkatdhetarët për ngritjen e mëtutjeshme të bashkëpunimit, informimit rreth shërbimeve konsullore, regjistrimit të diasporës dhe avancimit të mësimit plotësues në gjuhën shqipe.