Follow us on:

Konsullata në Frankfurt ndihmoi Bibliotekën Kombëtare të Kosovës të merr në pronësi librin origjinal

Frankfurt, 19 tetor 2015 – Me angazhimin e këshilltarit drejtues të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Frankfurt Astrit Zemaj, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, “Pjetër Bogdani”, është pasuruar me librin origjinal të "Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut, Princit të Epirotëve", i shkruar në gjuhën latine dhe i botuar në Zagreb në vitin 1743.

Ky libër ishte i ekspozuar  së fundmi në Frankfurt në Panairin Ndërkombëtar të Librave të Antikuar nga Massimo Caputi - MC Rare Books B.V. Oëner dhe prej tash do t’i takoj Fondit të Rrallë të Bibliotekës  Kombëtare të Kosovës, pasi që për blerjen e tij, Zemaj ka gjetur përkrahjen financiare nga Unioni i Bizneseve Shqiptare në Gjermani të cilët kanë financuar  blerjen dhe dërgimin e tij në Kosovë.

Me këtë rast, udhëheqës të Bibliotekës  Kombëtare të Kosovës kanë falënderuar z. Zemaj për angazhimin e tij në këtë drejtim. “Biblioteka Kombëtare e Kosoves  "Pjetër Bogdani" falënderon dhe shpreh mirënjohjen e thellë për Konsullatën e Republikës se Kosovës në Frankfurt am Main dhe z. Astrit Zemaj, këshilltar - drejtues i Konsullatës, për negocim dhe kalimin në pronësi të librit të Marin Barletit, "Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut, Princit të Epiroteve", të shkruar në gjuhën latine, botuar në Zagreb në vitin 1743, i cili libër ishte i ekspozuar në Panairin Ndërkombëtar të Librave në Frankfurt”, thuhet në letrën e falënderimit të  dërguar nga drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajraku.