Follow us on:

Këshilltari Zemaj përmbyll misionin në Frankfurt, shteti gjerman e vlerëson lart punën e tij

Frankfurt, 12 nëntor 2015 - Me rastin e përmbylljes së mandatit të parë në cilësinë e Drejtuesit të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Frankfurt, drejtues të qeverisë së Landit të Hessen-it në Ëiesbaden kanë organizuar takime të nivelit të lart lamtumirës për Këshilltarin Astrit Zemaj, i cili nga fillimi i muajit nëntor 2015 ka kaluar me pozitë të re në kuadër të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin. Në pjesën e parë të kësaj agjende shtetërore, ai është pritur me nderime të larta në kryeministrinë e Landit të Hessnit nga shefi i protokollit, Dieter Beine i cili në emër të institucioneve të këtij Landi e ka falënderuar Zemajn për bashkëpunimin e frytshëm ndër vite si dhe i ka uruar suksese në mandatin e ri.

 Në vazhdim, Beine  e ka vlerësuar lart kontributin dhe angazhimin maksimal të konsullit Zemaj, në themelimin dhe ngritjen e misionit të parë konsullor të Republikës së Kosovës në Frankfurt.  Konkretisht ai e ka rikujtuar periudhën fillestare duke cekur se “funksionalizimi i shpejtë i këtij  misioni dhe ofrimi i shërbimeve konsullore e ka lehtësuar tej mase gjendjen e shtetasve tuaj në raport me administratën gjermane. Prandaj misioni të cilin ju e keni themeluar dhe drejtuar gjatë këtyre viteve, jo vetëm që  ka tejkaluar pritshmërinë e një misioni fillestar, por u shndërrua në shembull të mirë edhe për shtete tjera me përvojë të gjatë në shërbimin e jashtëm. Me punën tuaj dhe përkushtimin e vazhdueshëm për bashkëpunim, Zemaj ka kontribuar jo vetëm në  forcimin dhe thellimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndërshtetërore kosovare-gjermane por ka pasuruar edhe jetën diplomatike e konsullore të misioneve të akredituara në Landin tonë”.
 
Në pjesën e dytë të aktiviteteve lamtumirëse, qeveria e Landit Hessen, së bashku me institucionet e qytetit të Frankfurtit si dhe në bashkërendim me Korin Konsullor të akredituar në Frankfurt, në mbrëmjen e të njëjtës ditë, me një takim ceremonial dhe darkë të përbashkët, e cila tradicionalisht organizohet për nder të përcjelljes së Drejtuesve të Misioneve Konsullore, me një atmosferë madhështore  nën përkujdesjen e institucioneve të qytetit të Frankfurtit janë përshëndetur nga Zemaj.

Në këtë mbrëmje, përveç autoriteteve dhe përfaqësuesve  të institucioneve të ndryshme gjermane, kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e dhjetëra konsullatave nga vende të ndryshme të akredituara në Frankfurt. Në  fjalimet e mbajtura është vlerësuar lart bashkëpunimi i Zemajt, në cilësinë e drejtuesit të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Frankfurt dhe atij i është uruar sukses në detyrën e re. Siç është praktikë në përfundim të mandatit, Zemajt  i është ndarë  çmimi tradicional "Pjata e Argjendtë" si dhe një dhuratë modeste porcelani nga qyteti i Frankfurtit në kujtim të bashkëpunimit të përbashkët dhe punës siç është quajtur, “punë pioniere për themelimin e misionit të parë konsullor për vendin e tij”.  
  
Në të gjitha këto takime dhe ceremoni lamtumire, diplomati kosovar në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, ka falënderuar shtetin dhe popullin gjerman për përkrahjen e vazhdueshme, të cilët i qëndruan pranë popullit të Kosovës në ditët më të vështira të tij si dhe ndihmuan vendin tonë në rrugën për shtet formim dhe të forcimit të pozitës në arenën ndërkombëtare.