Follow us on:

Konsulli Berisha priti Kongjelin dhe Mehmetin

Frankfurt, 19 maj 2016 - Shefi i Misionit të Konsullatës së Kosovës në Frankfurt, Ajvaz Berisha, priti në një takim pune menaxherët e FIFA-së: Fehmi Kongjelin, përfaqësues i Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Nuhi Mehmetin, organizator i ndeshjes ndërmjet Kosovës dhe Ishujve Faroe, e cila do të luhet më tre qershor 2016 në Frankfurter Volksbank Stadion në Frankfurt am Main/ Gjermani.

Fillimisht konsulli Berisha i uroi mysafirët për anëtarësimin e FFK-së në FIFA dhe UEFA si dhe i përgëzoi për organizimin e ndeshjes së parë të futbollit, pas ndërkombëtarizimit të futbollit kosovar. Me këtë rast, konsulli Berisha reprezentacionit të Kosovës i ofroi përkrahje gjatë qëndrimit të tij në Gjermani. Në fund, drejtuesi i misionit konsullor u njoftua edhe për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm ndërmjet FFK-së dhe Federatës së Futbollit të Gjermanisë, i cili do të vazhdojë edhe në projektet e përbashkëta në të ardhmen.

Sigurimi i biletave për këtë ndeshje mund të bëhet online si në webfaqen: www.kosova2016.com, e po ashtu në stadion, tri orë para fillimit të ndeshjes.