Follow us on:

Në konsullatën e Kosovës në Stuttgart u hap ekspozita me fotografi të Adem Demaçit

Stuttgart, 25 tetor 2016 - Me rastin e 80 vjetorit të lindjes së veprimtarit të çështjes kombëtare Adem Demaçi, në ambientet e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Stuttgart është hapur ekspozita me përmbledhje të fotografive nga jeta dhe vepra e kolosit me titull “Adem Demaçi – Jeta dhe veprimtaria atdhetare e kulturore”.

Hapjen e bëri drejtuesi i Konsullatës së Republikës së Kosovës në Stuttgart, Blerim Canaj, i cili përshëndeti të pranishmit, duke cekur dy anët e figurës së Adem Demaçit, si atdhedashës dhe si njeri të kulturës.

Një përshkrim të hollësishëm të figurës së kolosit Adem Demaçi për të pranishmit e bëri Salih Sefa, konsull i Republikës së Kosovës në Bern, i cili së bashku me Adem Demaçin ishte i burgosur politik dhe njohës i mirë i veprimtarisë së tij. Konsulli Sefa për të pranishmit bëri edhe interpretimin e fotografive të ekspozuara. Në mesin e të pranishmëve, për peripecitë e burgut dhe të burgosurve foli edhe Binak Dina, ish ushtar i UÇK, i cili kishte kaluar disa vite së bashku me Adem Demaçin në burgun e Stara Gradishkës.

Ekspozita u mirëprit nga të pranishmit, me ç’rast rast konsujt, Arjan Kashtanjeva dhe Besnik Miftaraj shprehën gatishmërinë që në dy javët e ardhshme të jenë në dispozicion të shoqatave, grupeve të studentëve, nxënësve dhe qytetarëve të interesuar ta vizitojnë ekspozitën.