Follow us on:

Themelohet Këshilli i Shkollës Shqipe në Bavari

Mynih, 13 nëntor 2016 - Me iniciativë të një grupi intelektualësh dhe veprimtarësh në Bavari dhe me përkrahjen e Konsullatës së Përgjithshme të RKS-së në Mynih, si dhe nën mbikëqyrjen e konsullit Hamdi Reqica, është themeluar Këshilli i Shkollës Shqipe në Bavari.

Në takimin e dytë me radhë të Këshillit, ishte prezent edhe ministri i Diasporës Valon Murati, së bashku me KP të RKS-ës Idrizi, si dhe KP i Republikës së Shqipërisë në Mynih,  Arten Hanku.

Ky Këshill, ka marrë si obligim hartimin e dokumenteve të nevojshme për organizimin e Kuvendit të Shkollës Shqipe dhe hapjen e shkollave shqipe në Bavari.

Gjendja e mësimit shqip u konstatua se është në krizë, por është shpresëdhënës, fakti se ka një vullnet si nga trupa pedagogjike edhe nga prindërit që kjo gjendje të përmirësohet.

Njëkohësisht, u diskutua për nevojën e zgjerimit të kësaj nisme edhe tek të gjithë ata që mund të ndihmojnë në të gjitha drejtimet (shoqata, mësues, biznese, prindër etj.). Në fjalën e tij Ministri Murati, tha se arsimi shqip në diasporë është një prioritet i punës së dy qeverive, i asaj të Kosovës edhe të Shqipërisë, gjë që është analizuar edhe në mbledhjet e përbashkëta të tyre, ai duhet të jetë një prioritet edhe për të gjithë kombin, dhe veçanërisht për brezin e ri në diasporë, i cili po rritet dhe arsimohet  jashtë viseve shqiptare.

Ministri i inkurajoi organizatorët për nismën, si dhe u garantoi se përkrahja e ministrive dhe qeverive të Kosovës edhe të Shqipërisë, nuk do të mungojë.